Lushnja nuk është ‘autoshkollë’, Gjyla i bie me ‘sopatë’

Vetëm 11 pikë në 36 javë në Superiore, ky nuk është një dështim për Lushnjën, por një turp i vitit 2018. Për këtë arsye trajneri Ilirjan Gjyla ka vendosur që të bëjë ndryshime të shumta për të rikthyer këtë skuadër në dinjitet dhe pse jo në Kategorinë Superiore, pasi Lushnja njihet ndryshe si “toka e tifozëve”. Sportdashësit presin një skuadër konkurruese dhe premtuese, në mënyrë që shkallët e “Roza Haxhiut” të mbushen sërish si më parë.

Gjyla e mori skuadrën në një pikë që nuk kishte se çfarë të bënte, sepse e gjeti të ndërtuar dhe me një filozofi ndryshe. Kështu që merkatoja e kësaj vere është periudha e duhur për të bërë ndryshimet që trajneri do për të futur një tjetër frymë në skuadër.

Dhe kjo ‘epokë’ ka nisur, Gjyla nuk fal askënd dhe në seancën e djeshme nuk janë parë 10 lojtarë që kanë qenë në provë. Janë larguar ata që nuk kanë shfaqur nivel dhe kanë qëndruar vetëm 22 emra që shihen se kanë të ardhme që të veshin këtë fanellë.

Për trajnerin lushnjar jo vetëm këta 10 që janë larguar, por do të jenë dhe 4 lojtarë të tjerë që do të jenë nën vëzhgim deri në miqësoren e ditës së enjte që verdhejeshilët do të luajnë në “Loni Papuçiu” kundër Apolonisë. Në këtë sfidë ai do të shohë dhe këta lojtarë që nuk e kanë bindur ende për të përcaktuar kontingjentin që ai ka vendosur që të punojë për të ardhmen. Sa iu përket afrimeve, Gjyla pritet që të afrojë tek-tuk ndonjë emër të gatshëm që do të ndihmojë ekipin në repartet problematik. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.