Mallkimi i gjermanëve: yjet që u shuan pasi shkëlqyen në Botëror!

Ti mund ta lexosh kete ne 4 min.
16 Maj 2018 14:45

Është parajsa, por edhe paradhoma e ferrit. Sepse më lart nuk mund të ngjitesh, më lart nuk mund të shkosh. Dhe të biesh është e lehtë. Madje, është e sigurt. Të martën, Joachim Löw ka publikuar një listë të gjatë paraprake me emrat e lojtarëve që do të grumbullojë për Botërorin Rusi 2018. I përjashtuari më i famshëm është Mario Götze. Në vitin 2014, në Brazil, ai ishte vendimtar me golin që shënoi në finale ndaj Argjentinës. Asokohe ishte 21 vjeç dhe Löw, teksa po përgatiste për t’u futur në fushë në vend të Kloses, i tha se duhet t’i tregonte botës se ishte më i fortë se Messi.

Në fakt, në Gjermani të gjithë ishin të bindur për këtë. Në moshën 21-vjeçare kishte fituar 3 kampionate (dy me Borussia Dortmund, një me Bayern Munchen) dhe kishte arritur deri në finalen e Champions League. Klas dhe elegancë, por mbi të gjitha teknikë në shpejtësi. Po, Mario mund të bëhej një nga më të mirët në botë. Por pas atij goli nisi edhe rënia. Probleme, polemika, zhgënjime për të ardhur deri të përjashtimi i djeshëm. Dhe nuk është hera e parë që ndodh. Të katër gjermanët të cilët vendosën katër Botërorët e fituar nga Gjermania, nga parajsa janë gjendur papritmas në ferr. Është njësoj sikur të kesh bërë një pakt me djallin për të shënuar atë gol.

MARIO GÖTZE — Mjaftojnë numrat për të lexuar vështirësitë. Pasi vendosi finalen ndaj Argjentinës, Götze në Bundesligë ka shënuar 15 gola në 4 vjet. Në fillim stoli me Guardiolën, më pas kritikat e tifozëve të Dortmund të cilët nuk e donin rikthimin e tij te Borussia, dëmtimet e shumta, sëmundja dhe sërish në stol me Stöger. Statistikat e gozhdojnë: 15 gola në 4 kampionatet e fundit, në një kohë që në 4 turnetë e fundit (nga mosha 18 deri më 21 vjeç) kishte realizuar 32 gola. Më shumë se dyfishi. Mario nuk është më ai i mëparshmi, aq sa administratori i deleguar i Dortmund, Watzke disa muaj më parë ishte shprehur i shqetësuar: “Ai gol në botëror ka ndikuar shumë tek ai, – ka pohuar –. Tani i mungon diçka. Mario ka një problem të madh që e kanë të gjithë lojtarët, të cilët në moshë të re kanë pasur atë sukses: menaxhimi i presionit. Është vërtetë e veçantë ajo që u ka ndodhur gjermanëve të cilët kanë shënuar golin vendimtar të botërorit...”. pikërisht, sepse Mario është në “ferr” dhe aty i bëjnë shoqëri tre paraardhësit e tij.

HELMUT RAHN — Botërorin e parë Gjermania e fitoi në Zvicër në vitin 1954. Me mrekullinë e Bernës (kanë bërë edhe një film madje) gjermanët arritën të thyenin Hungarinë e Puskas edhe pasi u ndodhën në disavantazhin 2-0. Rahn realizoi dopjetën vendimtare, përfshirë golin që vulosi rezultatin në 3-2. Fill pas finales nisi rënia: shumë alkool, shumë probleme. Në vitin 1957 u ndalua teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur. Kundërshtoi dhe sulmoi forcat e rendit. Në vitin 1960 e bëri sërish dhe mbeti 3 javë në burg.

GERD MÜLLER — Në vitin 1974 golin vendimtar e shënoi Gerd Müller. Në fushën “Bomber der Nation” arriti të jepte akoma: pasi kishte realizuar të paktën 30 gola për çdo sezon në tre kampionatet e fundit para Botërorit (e kishte bërë këtë gjë 5 herë në 6 sezone) shënoi diçka më pak në tre sezonet që pasuan finalen e madhe (23-28-24). Madje, braktisi Bundesligën për futbollin amerikan dhe më pas pati probleme me alkoolin. “Nuk mund të shkonte më keq se kaq, – ka rrëfyer Gerd –. Arrin aq lart sa vështirë se mund të arrihet, prek qiellin me dorë dhe më pas vjen rënia. Gjithnjë e më poshtë, derisa mbërrin në ferr. Nuk bën asgjë, kalon ditët duke mos bërë asgjë. Pa miqtë e mi nuk do t’ia kisha dalë mbanë”. Miqtë në fjalë ishin Beckenbauer, Hoeness dhe Rummenigge, të cilët e bindën të shkonte në një klinikë rehabilitimi dhe të pranonte ndihmën psikologjike.

ANDREAS BREHME — I fundit gjerman i cili vendosi Botërorin para Götze-s ishte Andreas Brehme me golin e shënuar ndaj Argjentinën në vitin 1990. Më parë kishte fituar Kupën UEFA me Interin (në finalen ndaj Romës) si edhe kupën dhe kampionatin me Kaiserslautern. Por edhe ai hasi në disa vështirësi. Disa vjet më parë u ndalua i dehur në timon dhe u akuzua se kishte drejtuar makinën edhe pse i kishin hequr patentën. Pak vite më parë, lajmi se ai kishte probleme financiare shkaktoi habi të madhe, aq sa në vitin 2015 nuk donte të shkonte në festën e organizuar nga DFB (Federata Gjermane e Futbollit) për të festuar 25-vjetorin e trofeut. Mbase nuk donte as ta kujtonte e jo më të festonte. Ai gol në fakt të çon në parajsë. Por është edhe paradhoma e ferrit./EDS/

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike