Marcelo Gallardo, kandidati kryesor për ta drejtuar Barcelonën

07 Nëntor 2019

Ernesto Valverde është gjithmonë e më afër shkarkimit nga Barcelona, pasi rezultatet dhe loja jo e mirë në këtë fillim sezoni, e kanë vënë trajnerin në pozitë të vështirë.

Largimi i tij pritet dita e ditës, ndërsa edhe emrat që qarkullojnë për ta zëvendësuar nuk janë të pakët.  Ronald Koeman është emri që përmendet më së shumti në mediat spanjolle, por ai nuk është i vetmi.

Por, Claudio Borghi, ish-futbollist dhe komentator aktualisht në Argjentinë, ka thënë se Marcelo Gallardo, tani trajner  te River Plate, do ta drejtojë Barcelonën.

Marcelo Gallardo te River Plate. (Foto: Amilcar Orfali/Getty Images)

Sipas tij Gallardo do të zyrtarizohet si trajner në janar.

Gallardo ka treguar sukses të madh te River Plate duke e fituar Kupën Libertadores sezonin e shkuar, ndërsa këtë vit është në finale. /Telegrafi/    

www.telegrafi.com