”Mbappe më i mirë se Henry”… e thotë dikush që i njeh mirë të dy

”Mbappe më i mirë se Henry”… e thotë dikush që i njeh mirë të dy

Njërin e ka pasur shok skuadre dhe ka fituar me të një Kupë Bote, tjetrin e ka stërvitur dhe ka fituar me të një Kupë Bote… Por kur vjen puna për t’i krahasuar të dy, Didier Deschamps nuk ka dyshime: Kylian Mbappe është më i mirë se sa Thierry Henry… në të njëjtën moshë që është sot adoleshenti francez.

19-vjeçari i Paris SG është në qendër të vëmendjes së të gjithë botës që kur shkëlqeu me kombëtaren në Botërorin rus, duke shënuar edhe gol në finalen e fituar kundër Kroacisë. Ky ishte trofeu i dytë për Francën, i fituar 20 vjet pas të parit, ku Didier Deschamps ishte titullar në fushë, kurse Henry ishte ende një rezervë.

E ndërsa Real Madrid ka filluar të hidhet në sulm për numrin 10, Deschamps pranon se është i lumtur që ai është francez. “Ai e di mirë që bën gjëra të cilat të tjerët nuk i bëjnë dot. Është i zgjuar, dëgjon kur i flasin”, tha trajneri francez. “Unë i vë në dukje gjërat e mira, por këtë e bëjnë të gjithë. Unë gjithashtu i them edhe për gjërat që nuk shkojnë mirë, edhe pse këto janë vetëm 5% e lojës së tij. Ai i korrigjon menjëherë”.

I pyetur për një krahasim me Henry, një prej sulmuesve më të mirë të Francës por edhe në botë, Deschamps u përgjigj: “Në vitin 1998 David Trezeguet dhe Thierry Henry ishin në moshën e Mbappe, por nuk kishin të njëjtën peshë në skuadër. Kylian është i rritur tashmë në këtë aspekt. Kam luajtur me shumë lojtarë të mëdhenj dhe kam stërvitur shumë të tjerë, por ai është ndryshe. Nuk është vetëm cilësia e lojës së tij që e dallon. Duke parë moshën, atë që bën dhe atë që do të bëjë në të ardhmen, mundet vetëm të them që jam i lumtur që ai është francez”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.