“Mbrëmje unike, por mendoj për takimin e radhës”, Tonali pas debutimit me Milanin: Ibra, shembull për të gjithë ne

22 Shtator 2020

Sandro Tonali ka dhënë intervistën e parë pas një ndeshjeje me fanellën e Milanit. Mesfushori debutoi dje në kampionat me kuqezinjtë, teksa pas fitores me Bolonjën u shpreh: “Është bukur të luash në ‘San Siro’, një stadium që ka bërë historinë e futbollit dhe dhuron emocione. Për fat të keq, kishim pak tifozë, por e ndiem shumë afër mbështetjen e tyre”. 20-vjeçari qëndroi në fushë për 15 minuta pasi zëvendësoi Benaserin, por vlerësimi i tij për trajnerin nuk është prekur.

“Trajneri na kërkon gjithmonë që të punojmë sa më shumë dhe kur sheh që një lojtar është gati, atëherë ai e hedh në fushë. Synimi im është që të fitoj besimin e tij duke punuar sa më fort gjatë gjithë javës”, tregoi Tonali.

Një tjetër pikë referimi në skuadër për blerjen më të re të Milanit është Zlatan Ibrahimoviçi. Lidhur me raportin me suedezin 38-vjeçar, regjisori i “Djallit” sqaroi: “Ibra është gjithmonë i njëjti. Është i fortë dhe shumë kërkues me të gjithë. Edhe sot na dha një ndihmesë të madhe. Paraqitjet e tij janë një shembull për të gjithë ne të cilët duhet vetëm ta admirojmë”.

Debutimi në stadiumin e ëndrrave me fanellën e ekipit të zemrës është një arritje më vete për Tonalin që për debutimin e djeshëm në kampionat tha: “Këtë mbrëmje nuk do ta harroj kurrë, megjithatë mendja ime është që tani te takimi i radhës. Që të gjithë jemi të motivuar dhe duam të ndërtojmë një sezon të madh, por tullat duhen vendosur njëra pas tjetrës.

PANORAMASPORT.AL

 

www.panorama.com