“Me Interin s’fola fare”, rrëfimi special i Tonalit: Milanin e zgjodha vetë, numrin 8 nuk e mora vetëm prej Gatuzos

15 Shtator 2020

Milani është një ëndërr që reali zohet për Sandro Tonalin. Gjithmonë milanist, 20-vjeçari shprehet i gatshëm për aventurën me ekipin e zemrës. Në intervistën e prezantimit, mesfushori i blerë te Bresha shprehu ndjesitë dhe emocionet e tij kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga firma që do ta mbajë lidhur me “Djallin” në pesë sezonet në vijim.

Nga lind pasioni juaj për Milanin?

Ekipi i parë ka qenë Sant’Anxhelo dhe fanella ishte kuqezi. Ishim të gjithë milanistë dhe këtë pasion e kam trashëguar nga im atë.

Çfarë ndjesish keni nga takimi i parë me Piolin?

Biseda më të më ka karikuar shumë. Më shpjegoi deri në detaje atë që më pret, megjithatë do të mundohem të jem gati sapo të ketë nevojë për mua.

Si po i menaxhoni elozhet e shumta të këtyre ditëve?

Nëse arrin t’i “grushtosh” kur janë pak, e bën edhe kur janë më tepër. Televizorin nuk e ndez kurrë dhe përveç telefonit në kohën e lirë, mendja ime është e ndarë mes shtëpisë dhe fushës. Veshët i mbaj të mbyllur.

Me presidentin Çelino çfarë ndodhi?

Ai e dinte se ajo e Milanit ishte fanella që dëshiroja prej kohësh. Me të kemi një raport fantastik. E kupton mirë futbollin e po aq mirë më kuptoi edhe mua. Që në ditën e parë më ka thënë se zgjedhjet më takonin mua dhe e mbajti fjalën. I kërkova ta bënte këtë sforco për mua dhe ai ma plotësoi dëshirën. E tregoi veten burrë.

Çfarë bëtë kur mësuat për interesimin e Milanit?

Isha në shtëpi, por ditën e vazhdova sipas planit dhe isha shumë i qetë. Një ditë më pas në mbrëmje bisedova me qetësi me menaxherin tim.

A është e vërtetë që ishit në bisedime edhe me Interin?

Unë nuk kam folur fare me askënd. Menaxheri im tek i cili kam shumë besim, donte të më linte të qetë. Sapo mësova për interesimin e Milanit, duke marrë parasysh edhe pasionin tim, bisedova me menaxherin dhe e lashë të punonte.

Cilat janë ndjesitë rreth këtij Milani?

Niveli është shumë i lartë dhe në grup ekziston dëshira për të bërë mirë e për të fituar. Shokët, duke filluar që nga Ibra, të transmetojnë dëshirë për të fituar e për të mos gabuar kurrë. Dëshira është e madhe edhe mes ne më të rinjve dhe cilësia e grupit është shumë e lartë. Që të gjithë duam të tregojmë në fushë atë që jemi në gjendje të bëjmë.

Të enjten ju pret Shamroku…

Jemi gati dhe në formë të mirë, por ndeshjet zyrtare janë ndryshe nga miqësoret e zhvilluara deri më tani. Të gjithë kemi dëshirë për të çarë botën më dysh.

Keni luajtur ndonjëherë në një mesfushë me dy lojtarë?

Po, në sezonin e parë me Breshan në Serinë B. Kur ke një mesfushë me tre, topi i kalon më shpesh regjisorit i cili është i vetëm, ndërsa kur luajnë vetëm dy, është disi më e thjeshtë sepse lëvizjet janë më të lidhura me shokun e repartit. Gjithsesi, moduli është mendimi im i fundit sepse rëndësi ka se si qëndron në fushë e unë luaj gjithmonë për të dhënë më të mirën.

Keni marrë ndonjë këshillë?

Presidenti Çelino më tha që të mos ndryshoja e të vazhdoj të mendoj sikur jam ende te Bresha. Këtë udhëzim do të mundohem ta ndjek sepse më ka ardhur nga një njeri të cilin e vlerësoj tej mase.

Si ishin bisedimet me Milanin?

Kur kuptova se kisha mundësi për të ardhur te Milani, ua mbylla dyert të gjithë të tjerëve. Duhet të vishesha patjetër kuqezi. Ai ishte mendimi im i parë e ashtu ndodhi. Kur njoha drejtuesit, u emocionova shumë dhe tani që punojmë për të njëjtin objektiv është edhe më bukur.

Përse zgjodhët numrin 8 të Gatuzos?

Sepse ka qenë dhe është idhulli im dhe sepse 8-ta ishte e lirë. Ky numër ka edhe shumë kuptime të tjera të lidhura me jetën time private.

Cila është rruga që duhet të ndjekë Milani për t’u rikthyer në Champions?

Duhet të vijojmë të punojmë siç po bëjmë. Stërvitjet janë çelësi i gjithçkaje dhe gjëja më e mirë do të jetë që t’i marrim ndeshjet me radhë.

Si është të punosh me Maldinin?

Në fillim emocionet ishin të papara. Efekti është i jashtëzakonshëm.

Ka ndonjë ndeshje të vjetër të Milanit që do të donit të luanit?

Finalet e Ligës së Kampioneve, por duke qenë se kam asistuar në stadium gjatë Milan – Kievo po zgjedh atë ndeshje. Fituam me gol të Sedorfit në minutat e fundit. Paraqitja nuk ishte fort pozitive, megjithatë mbaj mend që emocionet ishin të mëdha.

Si kanë qenë ditët e para në stërvitje me Ibrahimoviçin?

E kam admiruar gjithmonë dhe më ka habitur shumë edhe gjatë këtyre ditëve. Është shumë bukur që të luajmë së bashku sepse është një kampion që merr mbi vete të gjitha përgjegjësitë e mund të na udhëheqë në fitore. E cilësoj si personazh nga i cili mund të marr shembull.

Cili është plani që duhet ndjekur për të menaxhuar situatat e ndryshme?

Nuk duhet të bëjmë plane afatgjata, për 6 apo 8 muaj. Duhet të punojmë e të vendosim çdo tullë me radhë në atë që do të jetë fortesa jonë. Le t’i marrim takimet një nga një e të mos kemi ngut.

Jeni në formë për të luajtur një ndeshje të plotë?

Po punoj shumë si për aspektin fizik ashtu edhe për atë mendor. Personalisht kam qëndruar shumë kohë pushim dhe po mundohem të jem në 100 për qind të formës. Jam shumë pranë këtij synimi, ndaj do të shohim se çfarë do të ndodhë.

A përmendet Championsi në dhomat e zhveshjes së Milanit?

Klima në dhomat e zhveshjes është e qetë. E duam njëri-tjetrin, por nuk është ky momenti për të folur për Champions. Sigurisht që është në synimet tona, por kemi përse ta përmendim. Tani mendojmë vetëm për të enjten. Koha për të folur për hapat e tjerë nuk do të na mungojë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

 

www.panorama.com