Më në fund ekipet rifillojnë stërvitjet në grup, Armand Duka apel: Kini kujdes

18 Maj 2020

Ekipet e Superligës kanë zbritur më në fund në fushë, ku nga kjo e hënë kanë mundësi të zhvillojnë stërvitje në grup. Në bazë të një protokolli sanitar strikt ekipet kanë nisur punën për të qenë gati për rifillimin e sezonit. Nisjen e aktivitetit sportiv e ka përshëndetur edhe presidenti i FSHF-ës, Armand Duka. Numri 1 i futbollit në vend kërkon që masat të respektohen me rigorozitet në mënyrë që gjithçka të shkoj mirë:

I drejtohem me këtë mesazh, futbollistëve, trajnerëve, drejtuesve dhe stafeve të klubeve, ekipeve dhe akademive të futbollit.

Sot, pas një periudhe të relativisht të gjatë ndërprerjeje për shkak të pandemisë, të gjithë do të kenë mundësinë të kthehen në fushat e stërvitjes. Kjo është një ngjarje e shënuar, sepse nis rrugën për rifillimin e sezonit futbollistik të ndërprerë nga masat, për luftën ndaj COVID -19.

Në fillim, dua t’ju falenderoj, për durimin dhe qytetarinë e treguar gjatë kësaj periudhe të gjatë dhe të vështirë, duke zbatuar rregullat e distancimit social. Edhe për mesazhet, e solidaritetit që keni dhënë nëpërmjet prononcimeve tuaja. Futbolli është një pjesë e rëndësishme dhe e ka për detyrë të japë mesazhe me vlera, për shoqërinë shqiptare.

Dua t’ju kujtoj edhe njëherë, që të jeni sa më të kujdesshëm dhe të zbatoni rregullat e distancimit social dhe protokollet në lidhje me zhvillimin e stërvitjeve në këto kushte. Jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Në ditët në vazhdim, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë disa demonstrime, seminare dhe aktivitete të tjera me klubet, në mënyrë që ato të janë sa më të qarta dhe të lehta për t’u zbatuar nga ana juaj, si organizatorë të ndeshjeve. Në mënyrë që rifillimi i edicionit të rid he I të gjitha aktiviteteve futbollistike të na gjejë sa më të përgatitur dhe ç’është më e rëndësishmja, sa më të mbrojtur.

Edhe njëherë stërvitje të mbarë dhe suksese në punën tuaj!

Armand Duka

President i FSHF

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com