“Mezi pres të luaj me Ibrën”, talenti norvegjez pas mbërritjes në Milano: Vij te një klub i madh

30 Shtator 2020

Jan Peter Hauge ka mbërritur pasditen e djeshme në Milano, ku gjatë ditës së sotme do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore përpara se t’u bashkohet 7 herë fituesve të Ligës së Kampioneve. Talentit norvegjez të Bodo Glimtit i mjaftuan vetëm 90 minuta në Ligën e Europës ndaj kuqezinjve për të bindur drejtuesit milanistë, të cilët do të paguajnë 5 milionë euro për kartonin e 20-vjeçarit që në tri sezonet e fundit ka luajtur për Bodo Glimtin, kryesuesit aktualë të kampionatit norvegjez.

BONUSI DHE RROGA – Përveç shifrës së sipërpërmendur, kuqezinjtë do të derdhin edhe dy milionë euro të tjera në formë bonusesh në arkat e klubit skandinav. Edhe vetë Hauge do të ketë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave krahasuar me 80 mijë euro vjetore që merr aktualisht. Për anësorin ofensiv është gati një kontratë pesëvjeçare nga e cila ai do të përfitojë 1 milion euro në sezon, me shifrën që do të rritet në proporcion me kontributin e lojtarit në fushën e blertë. 184 centimetra i gjatë dhe 78 kilogramë, Hauge ka si pika të forta vrapimin, driblimet dhe goditjet, siç edhe u pa në sfidën e një jave më parë pikërisht kundër Milanit, ku me një asist dhe një gol vendosi shumë në vështirësi atë që tashmë është ekipi i tij i ri. Ai është një mesfushor ofensiv që mund të luajë në krahët e sulmit në skemën 4-3-3 ose në 4-2-3-1-shin që po përdor aktualisht Stefano Pioli, teksa te kuqezinjtë do të jetë alternativë e Rebiçit në krahun e majtë të treshes pas shpinës së pykës Ibrahimoviç.

DEKLARATA – Në një prononcim për mediat norvegjeze në aeroport, para fluturimit drejt Milanos, talenti Hauge u shpreh: “Do të jetë emocionuese të shoh se çfarë do të sjellin ditët e ardhshme, por nga ana ime shpresoj shumë që gjithçka të shkojë mirë. Dua thjesht duhet të falënderoj Bodo Glimtin për bashkëpunimin që kemi pasur në vitet e fundit. Veçanërisht ky i fundit ka qenë një vit pozitiv për mua dhe do të jetë tepër emocionuese të hedh hapin e madh në karrierë”, u shpreh 20-vjeçari. Prej vitesh ka qenë pjesë e kombëtareve të grupmoshave të Norvegjisë duke luajtur përkrah Erling Halandit. Shokët e ngushtë do të takohen edhe në kombëtaren e madhe pas trajneri Lagerbak e ka grumbulluar për herë të parë blerjen më të re të Milanit. Jo vetëm bomber i Borusias, por edhe Zlatan Ibrahimoviç është në preferencat futbollistike të Hauges, i cili lidhur me bashkëpunimin e mundshëm në fushë e në stërvitje me 39- vjeçarin e Milanit tha: “Mezi pres të luaj me Ibrën, do të përpiqem të mësoj prej tij, një lojtar që e kam ndjekur dhe admiruar gjithmonë. Është e qartë që Milani është një klub tepër i madh, gjërat janë bërë realitet në ditët e fundit”.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com