Mici prezantohet si kampion te Shkëndija e Tetovës | VIDEO

Mici prezantohet si kampion te Shkëndija e Tetovës | VIDEO

Gledi Mici është zyrtarisht fubollisti më i ri i Shkëndijës së Tetovës. 27-vjeçari është prezantuar paraditen e të shtunës nga kuqezinjtë nëpërmjet një videoje tepër të veçantë, ku shfaqen disa momente nga hyrja e tij në zyrat e klubit. Mbrojtësi i krahut të majtë vendosi të nisë një aventurë të re larg Kategorisë Superiore ku fitoi gjithçka me Skënderbeun: Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa kulmin e arriti duke përfaqësuar bardhekuqtë në fazën e grupeve të Europa League. 27-vjeçari ka nënshkruar një kontratë për dy vitet e ardhshme me kuqezinjtë, të cilët kanë një projket ambicioz për të konkurruar denjësisht edhe në Evropë, pasi në Maqedoni nuk e diskutojnë më titullin kampion.

Mici humbi mundësinë për të luajtur në turin e dytë kualifikues të Champions League me Shkëndijën, pasi klubi nuk arriti të kishtë në kohë dokumentacionin e plotë. Gjithsesi ai do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën, pas eksperiencës së madhe të fituar me Skënderbeun në kompeticionet evropiane. Mici kishte disa oferta nga kampionati shqiptar, me Flamurtarin që ishte shumë i interesuar për të nënshkruar me vlonajtin, për shkak se trajneri Ilir Daja e njeh mjaft mirë 27-vjeçarin, pasi kishte punuar me të te Skënderbeu. Bardhekuqtë i ofruan zgjatje të bashkëpunimit, por mbrojtësi i majtë nuk pranoi të rinovonte dhe i refuzoi të gjitha ofertat nga Shqipëria për të nisur një eksperiencë të re jashtë vendit. Gjatë sezonit të kaluar 27-vjeçari grumbulloi 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Skënderbeut, ku 14 prej tyre në Europa League dhe turet kualifikuese. /EDS/