Milan dhe Inter, është menjëherë një derbi në merkato për mesfushorin

Një nga 4 milionë ndjekësit që Memphis Depay ka në profilin e tij në Instagram i sugjeron “Come to Milan”, pra që të shkojë në Milano. Nuk shpjegon nëse këshilla mban brenda ngjyra zikaltër apo kuqezi. Sigurisht, ai u pëlqen të dyja skuadrave të mëdha të Serie A dhe në pamje të parë duket se situata është e ekuilibruar. Por duke u thelluar në temë, mësohet se Interi është vënë në lëvizje për të përshpejtuar operacionin ditët e fundit. Një nxitim që nënkupton qartë rëndësinë që ka për izkaltrit holandezi i Lyon. Depay, të cilit i skadon kontrata me klubin francez në vitin 2021, ka bërë një sezon të shkëlqyer: ka shënuar 22 gola në 51 ndeshje. Dhe rilindja e tij ka rindezur interesimin e Interit për lojtarin që e ndjek prej kohësh.

STRATEGJIA — Emri i tij është mes Domenico Berardi, Matteo Politano dhe Simone Verdi në listën virtuale që drejtori sportiv Piero Ausilio ka menduar për të forcuar krahët e skuadrës. Lyon është i gatshëm për t’i vënë një çmim stratosferik lojtarit dhe ky nuk është detaj i parëndësishëm. Por Interi do të përpiqet të gjejë një sistem për ta ulur këtë shifër dhe për ta ulur deri në 30 milionë euro. Sepse ndryshe nga Joao Cancelo dhe Rafinha, Depay nuk do të vijë në huazim me të drejtë blerjeje. Lojtari është një nga bazat e skuadrës së Lyon. Për këtë arsye mund të vlerësohet operacioni duke përfshirë bonuse që lidhen me Championsin, ku skuadra e Luciano Spalletti-t arriti të kualifikohet. Arkëtimet e Interit janë në rritje, por kjo nuk do të thotë se rregullat e fair-play financiar do të anashkalohen.

KONKURRENCA — Përtej kartonit duhet marrë në konsideratë edhe paga e Depay. Holandezi përfiton 4,2 milionë euro (është më i paguari në skuadër së bashku me Mariano Diaz) kështu që nëse Inter do të bëjë një ofertë konkrete sipas gjasave do ta bënte holandezin lojtarin më të paguar të skuadrës pas Mauro Icardi-t. Milani ndërkohë po vëzhgon situatën, i ndërgjegjshëm për faktin se çështja që ka pezull me Uefa-n mban çdo plan të bllokuar. Emri i madh i Milanit përbën një joshje, por Interi ë këtë rast ofron një pjacë më të lartë siç është Champions. Nuk ka asnjë manovër konkurrenca aktualisht mes dy klubeve milanezë, që ndjekin Depay dhe e shohin si një element të rëndësishëm për skuadrat përkatëse.

ALTERNATIVAT — Por, drejtori sportiv, Ausilio nuk mban hapur vetëm kanalin Depay. Në listë mbeten Berardi, Politano dhe Verdi. I kemi sistemuar sipas rendit alfabetik, por në të vërtetë Domenico niset nga fundi. Vëmendja është mbi të gjithë te Politano, i bindur tashmë nga projekti zikaltër, dhe Verdi. I pari është gati tashmë për një skuadër të madhe, ndërsa i dyti pasi refuzoi Napolin ka ndërmend të provojë Milanon, këtë herë me fanellën zikaltër. Në fund, Berardi është ëndrra e kultivuar prej shumë kohësh dhe tashmë një lojtar i pjekur. Fundi i sezonit për të ishte i shkëlqyer, duke treguar gjithçka nga potenciali i tij. Dhe nuk duhen konsideruar si automatike konfirmimet e Ivan Perisic dhe Antonio Candreva-s. Me ardhjen e një mesfushori krahu të ri dhe rritjen e Yann Karamoh, ndonjë tjetër mund të sakrifikohet për të respektuar “fair-play”-n financiar (më shumë kroati se sa italiani). Sakaq, në dalje duhet shënuar edhe interesimi i Monaco për të marrë në huazim Dalbert./EDS/

 

**************************

Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Lajme Sportive, Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.