Mourinho nuk i ndahet dy kroatëve

15 Tetor 2018

Jose Mourinho kërkon me ngulm që të marrë në skuadër Ivan Perisic dhe Ante Rebic, për të shpëtuar sezonin e vështirë që po kalon te Manchester United. Trajneri portugez është i pakënaqur nga ajo që ka bërë klubi gjatë verës duke mos i blerë lojtarët që ai dëshironte, për këtë i ka kërkuar drejtuesve që të veprojnë në janar.

Mourinho kërkonte me ngulm Harry Maguire nga Leicester dhe Toby Alderëeireld nga Tottenham, por asnjëri prej tyre nuk erdhi. Ai gjithashtu u interesua për Ivan Perisic por United e bëri të qartë që nuk kishte ndërmend të paguante 55 milionë euro për lojtarin e Interit. Ndërsa Eintracht Frankfurt kërkoi 45 milionë euro për Ante Rebic, sifër gjithashtu e lartë për klubin anglez.

Por të shtunën në mbrëmje Mourinho ishte i pranishëm në ndeshjen e luajtur mes Anglisë dhe Kroacisë, ku të dy futbollistët ishin titullarë. Në verë, plani i Mourinhos ishte t’i merrte të dy lojtarët në mënyrë që të kishte mjaftueshëm ndihmë nga krahët për Romelu Lukakun dhe sipas mediave britanike ky vazhdon të mbetet plani i tij.

Gjithsesi duket e vështirë që të paktën në rastin e Perisic, Inter të bindet të shesë lojtarin në janar, pa pasur një zëvendësues cilësor. 29-vjeçari është pjesë kyçe e planeve të Spallettit dhe tekniku italian nuk do të jetë dakord të shesë përkundër çdo shifre që mund të vijë nga United. Më ndryshe duket situata me Rebic, me 25-vjeçarin që duket i gatshëm për të lënë Frankfurt për një skuadër të madhe dhe për më tepër do të ketë mundësi të luajë në Champions League, gjithmonë nëse United kualifikohet nga grupi ku luan me Juventus dhe Valencian./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.