Myler zbulon planin kundër Mesit: Leo? Unë jam unik dhe askush nuk më kopjon dot

14 Gusht 2020

Tomas Myler e di mënyrën se si duhet ndalur Lionel Mesi sot në “Da Luz”. Në konferencën për shtyp përpara sfidës së sotme çerekfinale, sulmuesi i Bajernit flet për taktikën që duhet të ndjekin lojtarët e Bajernit sot përballë kapitenit të Barcelonës.

Së pari, për ju Barcelona do të jetë ndeshja e 113-të në Champions, do të thyeni rekordin e Lahm dhe do të bëheni lojtari gjerman me më shumë prezenca në këtë kompeticion.

Për mua është një stacion tranzitor. Unë kam ende në plan që të luaj edhe për disa vite të tjera dhe shpresoj që të jem edhe në disa ndeshje të tjera në Champions. Nuk ka asnjë rëndësi për mua. Ajo që ka rëndësi është ndeshja e nesërme (sotme) kundër Barcelonës.

Çfarë lloj ndeshjeje pret Myler?

Janë dy skuadra që dashurojnë të luajnë me topin. Objektivi është të bëjmë një ndeshje ku kontrollin e topit ta kemi ne dhe t’ia bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur të vështirë kundërshtarit. Duam të jemi protagonistë në fushë dhe ta vëmë në vështirësi rivalin. Duam të jemi të shpejtë, të fitojmë topat.

Është normale që në minutat e para askush të marrë rreziqe. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Ne duam ta kontrollojmë ndeshjen me cilësitë që kemi. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Duam të diktojmë lojën tonë. Kam një ndjesi të mirë, por përballë kemi një skuadër të shkëlqyer, Barcelonën. Ata kanë cilësi dhe eksperiencë. Kanë fituar shumë tituj. E dimë kush është Barça. Do ta shijojmë.

Si e shikoni konkurrencën me Kutinjon?

Unë jam shumë i gëzuar që ai është me ne në ndeshjet me eliminim direkt. Të gjithë i dinë cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Lojtarët që vijnë nga stoli i vendosin shpesh ndeshjet. Keni shembullin e fundit me PSG-në.

Si do të mbrohet Bajerni kundër Mesit?

Kundër Mesit nuk mbrohet vetëm me një lojtar, por si një skuadër. Nëse lojtari i parë nuk e fiton topin, afrohet tjetri dhe nëse nuk e fiton as ai, lojtari i parë është rikthyer. Duhet të jemi agresivë në duele. Le të shohim se si do të funksionojë. Në ndeshjet e fundit mund të shihni se kemi mbrojtur mirë. Por nuk është vetëm Mesi, është e gjithë Barcelona që duhet ndalur.

Si i prisni komplimentet speciale që iu bëri trajneri Flik?

Duhet lexuar nën rreshta, sepse ka lavdërime të fshehura pas këtyre fjalëve, por në fund ai tha vetëm se jam unik dhe nuk mund të kopjohem (shkel syrin). Unë do të përpiqem të tregoj cilësitë e mia.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com