“Na duhen rezultatet”, Igli Tare: Duam të bëjmë më mirë se…

05 Tetor 2020

Pasditen e djeshme Lacio zbriti në fushën e “Olimpico”-s për të nderuar javën e tretë të kampionatit. Pas fitores në transfertë kundër Kaljarit në debutimin sezonal dhe humbjes brenda fushe kundër Atalantës javën e kaluar, formacioni i Simone Inzagit priste Interin në kërkim të pikëve të rëndësishme për klasifikimin.

Diçka më shumë se 24 orë nga përfundimi i merkatos, drejtori sportiv bardhekaltër Igli Tare ka ndërhyrë për mikrofonat e “DAZN” për të folur lidhur me situatën në ambientin e klubit të kryeqytetit italian. “Në këto momente mund të na ndihmojnë shumë rezultatet, përmes tyre vjen edhe vetëdija te forcat e skuadrës”, është shprehur drejtuesi shqiptar, i cili në këtë seksion veror të merkatos ka qenë si gjithmonë aktiv dhe ka ndihmuar skuadrën të përforcohet, edhe për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve ku Lacio në fazën e grupeve do të përballet me Borusian e Dortmundit, Zenitin dhe Klub Bryzhin.

Për këtë arsye Tare nuk është kursyer me blerjet për t’i mundësuar Simone Inzagit forcat e duhura. Janë afruar, në fakt, Reina (nga Milani), Muriqi (nga Fenerbahçe), Fares (nga SPAL) dhe Pereira (nga Mançester Junajtid). “Duam të bëjmë më mirë se vitin e kaluar, – ka përfunduar drejtuesi. – Ndalesa për kombëtaret do të jetë e dobishme për të përfshirë në projekt lojtarët e rinj që janë afruar me vonesë në këtë seksion të merkatos”.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com