Napoli heq dorë nga Icardi, kthen vëmendjen kah Llorente

22 Gusht 2019

Mauro Icardi është i vendosur të mos largohet nga Interi, kështu që Napoli janë të gatshëm të nënshkruajnë me Fernando Llorenten në vend të tij.

Argjentinasi ka hedhur pengesa gjatë gjithë verës dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë mendje tani, edhe pasi është ‘ngrirë’ nga Antonio Conte dhe klubi.

Sipas mediumeve Sky Sport Italia dhe Sportitalia, Icardi dhe Wanda Nara e kanë bërë të qartë se nuk do të konsiderojnë asnjë lëvizje te Napoli, edhe pse Interi pranoi një ofertë prej 65 milionë eurosh.

Lexo po ashtu: Icardi refuzon kalimin te Napoli, dëshiron të mbetet te Interi

Edhe udhëtimi i ardhshëm i gruas dhe agjentes Wanda Nara në Capri për një sesion fotografik nuk do të përdoret si një mundësi për të diskutuar termat personale me Presidentin Aurelio De Laurentiis.

Icardi ose do të shkojë në Juventus ose do të qëndrojë te Interi të paktën në janar, thonë mediat italiane, ku më shumë ka gjasa qëndrimi në Meazza.

Ai i kaloi dy ditët e fundit duke postuar fotografi në Instagram të apartamentit të tij të ri, i cili është në ndërtim e sipër në Milano, afër me selinë e Interit.

Lexo po ashtu: Interi dhe Napoli pas Llorentes

Nga ana tjetër, Napoli nuk është i gatshëm të presë më lojtarin që nuk dëshiron t’i bashkohet atyre, kështu që ata janë vendosur të afrojnë Llorenten në vend të tij.

Spanjolli është lojtar i lirë pasi kontrata e tij me Tottenham Hotspur skadoi dhe u kërkua gjithashtu edhe nga Manchester Unitedi, por ishte më i bindur nga ideja për t’u bashkuar me Napolin e Carlo Ancelotti në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/

www.telegrafi.com