Natë aspak e qetë për Kovac, një emër i madh për ta zëvendësuar?

18 Tetor 2018

Nata mes të enjtes dhe të premtes nuk është aspak e qetë për Niko Kovac, trajnerin e Bayern Munchen. Duhet të ishte një ditë normale për kroatin, pas një jave pushim për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. Por një njoftim i Bayern për një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në të cilën do të jenë të pranishëm Salihamidzic, Uli Hoenness dhe Karl Heinz Rummenigge ka trazuar situatën në Bavari. Hera e fundit që një gjë e tillë ndodhte, Jup Heynckes prezantohej si njeriu që do të zëvendësonte Carlo Ancelottin.

Kovac e drejton Bayernin që prej muajit korrik, dhe pas një nisje fantastike me shtatë fitore, pati një ngecje në javët e fundit. Bayern momentalisht është në vend të gjashtë në renditje me dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit të luajtura. Pak rëndësi ka që nga vendi i gjashtë në të parin ka vetëm tri pikë diferencë, vendi i gjashtë mbetet tepër i rëndë për t’u pranuar.

Gjërat bëhen edhe më interesante nga mediat britanike, të cilat madje kanë zbuluar edhe një emër të madh që duket i gatshëm të ulet në stolin e Bayern Munchen në rast se do të vijë vërtet shkarkimi i Kovac. Bëhet fjalë për Arsene Wenger, i cili pak ditë më parë zbuloi se është i gatshëm të rikthehet në drejtimin e një skuadre.

Se çfarë do të ndodhë me Bayern dhe Kovac, do të na duhet të presim mesditën e të premtes…/EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.