Nations League ose fitorja e fundit e Michel Platini!

Kompeticioni i ri evropian, ku Shqipëria do të përballet me Skocinë dhe përsëri me Izraelin, ka qenë një dëshirë e madhe e ish-presidentit të UEFA-s. Kur i ka mbetur edhe një vit e gjysmë nga përfundimi i pezullimit, Platini mund të ndihet i lumtur pasi vizioni i tij për futbollin doli të jetë fitues…

Entuziazmi i vakët i shumë shqiptarëve kur kanë parë shortin, mund të kuptohet deri diku: Pas një faze eliminatore deri diku e dobët, dhe me një trajner të ri që po mundohet të ndryshojë grupin, të qënurit në një grup me Skocinë dhe Izraelin, ka bërë që shumë tifozë të jenë skeptikë. Ajo që është e sigurt është se ky kompeticion, që i jep Shqipërisë mundësinë për të fituar një vend në Evropian, është ndoshta fitorja e fundit politike e Michel Platini. I skualifikuar deri në tetor të vitit të ardhshëm, pak ditë më parë e apeloi vendimin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

I harruar, nga UEFA dhe sidomos nga FIFA (me ish-bashkëpunëtorin e tij Infantino nuk ka asnjë komunikim), me disa probleme shëndetësore dhe sidomos i zemëruar me ata që e braktisën, mund të ndihet i lumtur kur shikon se futbolli Europian dhe ai Botëror po zhvillohet, ashtu siç e kishte projektuar ai dhjetë vjet më parë, kur sapo u bë president i UEFA-s.

Para së gjithash, ish-kampioni i Nancy, Saint Etienne, Juventus dhe Francës, krijoi në 2008 European Club Association (ECA) (që tani kryesohet nga Andrea Agnelli) dhe duke i bërë bashkëdrejtues të UEFA-s.

Më pas prezantoi Fair Play Financiar, që në praktikë duket si një fiction (dhe nganjëherë një justifikim për të mos shpenzuar nga aksionarët e shumicës), por që krijoi një problem më të madh, duke qenë se paratë (jo gjithmonë të pastra) të të gjithë botës po investohen në futbollin europian.

I vetëdijshëm për limitet e Kupës së Botës, ai insistoi që Kampionati Europian të zgjerohej me 24 skuadra, me idenë e fshehtë që, edhe në sajë të disa zgjedhjeve të çmendura të FIFA-s, të perceptohet në të ardhmen si një Botëror i dytë, më i mirorganizuar dhe pa pjesëmarrjen e vendeve të botës së tretë.

Dhe ideja e fundit ishte Nations League, që plotëson një nga shtyllat e filozofisë së Platinisë: t’u japim të pasurve atë që duan, sepse ata rrotullojnë botën, por t’u japim edhe të varfërve gjithmonë një mundësi. Si mund të shpjegohet ndryshe mundësia për t’u kualifikuar në Euro 2020, për fituesin e Ligës D, domethënë për një kombëtare që renditet në vendin e 40-të në Evropë?

Përtej qëllimit të mirë për të reduktuar miqësoret, duke bërë që të luhet midis kundërshtarëve të rangut të njëjtë, ky kompeticion mund të përdoret edhe si një mjet për të mbajtur FIFA-n nën kontroll për shkak të fleksibilitetit të saj: Nesër pse mos të ftojmë në Nations League skuadra si Brazili dhe Argjentina? Ose, nesë shikojmë tregun ku ka më shumë të ardhura, pse mos të vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina? Me pak fjalë, është një kompeticion që ka të ardhme. Dhe ndoshta edhe Platini e ka një të tillë: Sepse ndonëse është 63 vjeç, ai ndihet si një djalosh./EDS/

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan