“Ndeshje për titull dhe krenari”, Sormani ndez atmosferën përpara derbit, Olsi Rama sqaron çështjen Mala

27 Shkurt 2020

Si rrallë herë në vitet e fundit, Partizani nuk vjen në derbi si favorit, këtë e tregon qartë edhe tabela e klasifikimit ku Tirana kryeson plus 6 pikë nga rivali i tyre i përjetshëm. Pikët e lëna përballë Bylis por dhe sezoni me shumë ulje ngritje e bëjnë këtë sfidë jetike për të kuqtë, e vetmja mënyrë për të qëndruar në garë për titullin kampion është të mposhtin Tiranën, këtë e ka të qartë edhe trajneri Adolfo Sormani:

“Unë këtë ndeshje derbi, e shoh si një ndeshje mes dy skuadrave që luftojnë për titullin kampion. Këtë ia transmetoj lojtarëve që nga fillimi i javës. Për mua mbetet një ndeshje për t’u fituar edhe pse është një derbi”.

Sormani respekton Tiranën, ekipi më në formë për momentin por kurrsesi nuk ka frikë nga bardheblutë:

“Respekt për të gjithë kam gjithmonë, por frikë nuk kam absolutisht. Kemi punuar fort dhe me entuziazëm gjatë kësaj jave dhe do të japin gjithçka në fushën e lojës. Gjithmonë për të fituar këtë takim dhe për të dhënë gjithçka”.

Presioni sigurisht që është i madh në shtëpinë e kuqe, ky është një derbi jashtëzakonisht përcaktues por italiani e merr qetësisht në konferencë për shtyp, insiston vetëm në faktin që kjo është një ndeshje që duhet fituar:

“Nuk kam asnjë presion, thjesht unë dua që të fitojmë këtë ndeshje. Duket shumë e thjeshtë kjo frazë, por ne duam të fitojmë këtë ndeshje, dua të fitojë për të qenë aty për titullin. Skuadra është gati që të bëjë më të mirën dhe të fitojë ndeshjen”

Siç ndodh shpesh, sa herë ekipi i Partizanit është në një moment të vështirë, përpara mediave shfaqet edhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, komenti i tij i parë shkoi për çështjen Mala:

“Situata e Malës është një situatë e krijuar si pasojë e politikës së klubit për të investuar te lojtarët e rinj. Në mënyrë që të rritet sportivisht dhe ekonomikisht. Qëlloi që ishte Mala, por mund të ishte çdo lojtar tjetër. Për rinovimin e kontratës së Malës, kemi punuar edhe vjet dhe kemi bërë hapa para. Ne me Malën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi arritur një akord, që ai do të jetë lojtari i Partizanit dhe do luajë për të në Shqipëri. Do t’i krijojmë mundësinë që ai të luajë jashtë dhe në momentin që do të vijnë ofertat dhe do të jenë të mira do merren parasysh. Duke parë vlerat e tij si lojtar dhe si person, vendosëm që ta riintegronim në ekipin e parë që të shfaqë githçka dhe të kontribuojë për Partizanin. Bashkëpunimi nuk është vetëm për këtë sezon, por edhe për të ardhmen. Nëse atij i vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz do ia mundësojmë që ai të shkojë. Të njetën gjë do të bëjmë dhe me lojtarët e tjerë. Ashtu si me Trashin, Çinarin apo Bardhin. Ata e dinë shumë mirë që nuk do të kenë pengesa. Duke ditur që presidenti Demi po bën një investim te kompleksi, është një investim që duhet të kthehet në një farë mënyre. Dhe mënyra më e mirë për t’u kthyer është nëpërmjet talenteve të reja, që do sjellin të ardhura në arkat e Partizanit. Me qëndrimin tonë, donim të tregonim këtë gjë. Duhet të kuptojmë që kur klubi investon, pretendon një të ardhme nga kjo. Jo të gjitha investimet dalin fitimprurëse. Klubi nuk ankohet dhe merr përsipër çdo gjë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com