Në duar të sigurta… klubi i vogël portugez prej nga kanë dalë Oblak dhe Ederson

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
20 Shtator 2018 23:46

Portierët ishin pa diskutim protagonistët e verës që lamë pas. Rekordi i transferimit më të shtrenjtë u thye dy herë brenda pak javësh pasi klubet e Premier League bënë shpenzime të çmendura për të marrë ata që donin mes shtyllave.

Sigurisht që kjo ndodhi edhe për faktin që ka një “bum” portierësh mjaft të mirë në ditët e sotme. Mes tyre, dy, dikur ishin rivalë për një vend në formacion në një klub të vogël në Portugali.

Në sezonin 2012-2013, Rio Ave kishte një 18-vjeçar të quajtur Ederson në radhët e veta, plus një 19-vjeçar të quajtur Jan Oblak…

Kush është Rio Ave? Dhe si ka mundësi që në skuadër kaq modeste kishte arritur që të kishte në gjirin e saj dy prej pesë portierëve më të mirë të botës në këto momente? Një falenderim të madh për këtë, Rio Ave duhet t’ia bëjë Benficas dhe zbuluesëve të mrekullueshëm të talenteve që klubi i madh portugez ka pasur këto dhjetë vitet e fundit.

Sezon pas sezoni, objektivi i Rio Aves ishte që të qendronte në kategorinë e parë portugeze, ndërsa Benfica, Sporting dhe Porto lufonin për titullin kampion. Sezonin e kaluar, ata siguruan vendin e pestë në kampionat, vetëm hera e dytë në historinë e klubit që e bënin këtë. Madje patën edhe një mundësi që të luanin në Europa League, por u eliminuan muajin e kaluar kundër polakëve të Jagiellonia.

Por pavarësisht zhgënjimit, ata kanë arritur shumë, pavarësisht se kanë një stadium për vetëm 13 000 tifozë. Gjashtë vjet më parë ata ishin modeli për t’u ndjekur për sa i përket zhvillimit të klubit. Qendronin vazhdimisht në dhjetë vendet e para, ndihmuar sigurisht edhe nga përfshirja mes shtyllave e Jan Oblak. Atë vit gjithashtu arritën deri në gjysmëfinalen e Kupës së Portugalisë.

Oblak ishte dhënë në huazim nga Benfica, por arriti të ruante të paprekur gjashtë herë portën e tij dhe në total pësoi 40 gola në 28 ndeshje. Menjëherë, Benfica e mori mbrapsht sllovenin dhe e vendosi titullar në portë, para se ta “përlante” Atletico kur pa që pësoi vetëm 2 gola në 16 ndeshje.

Fundi i aventurës së shkurtër të Oblak te Rio Ave ishte mundësia e zëvendësuesit të tij, Ederson, që të dilte në dritë. Por nuk do të ishte kjo hera e vetme që braziliani do të përfitonte nga largimi i Oblak. Dy sezone më vonë, pasi kishte ndihmuar Rio Aven të arrinte deri në finalen e Kupës së Portugalisë, Ederson do të zëvendësonte për herë të dytë sllovenin.

Benfica e vuri në shënjestër menjëherë sapo shiti Oblak tek Atletico Madrid në vitin 2014 dhe arriti ta blinte për vetëm 500 mijë euro. Për katër vjet, vlera e tij shkoi në 50 milionë euro… Ky po që është hiperinflacion!

Deri pak javë më parë, Ederson ishte portieri më i shtrenjtë në botë, ndërsa klauzola që Atletico ka vendosur në kontratën e Oblak është 100 milionë euro. Ditët e kaluara te Rio Ave tashmë janë lënë pas, por klubi verior mund të krenohet që ka pasur në radhët e veta dy superportierë që çdo skuadër e Europës do të donte t’i kishte./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike