Neymar: As nuk e doja numrin 10, ma dhanë me zor

18 Tetor 2018

Në Brazil, fanella me numër 10 është një krenari kombëtare, e veshur nga disa prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit botëror. Në të shkuarën atë numër e kanë mbajtur mbi shpinë emra si Pele, Zico, Rivaldo, Ronaldinho dhe Kaka, por përveç prestigjit dhe nderit të madh, ky numër mbart edhe një peshë tepër të madhe.

E ndoshta ka qenë pikërisht kjo peshë që ka bërë yllin e momentit të Seleçaos, Neymar, që të mos e kishte shumë përzemër këtë numër. Ka qenë vetë sulmuesi i Paris SG që ka zbuluar se nuk donte kurrë që të mbante fanellën me numër 10 te Brazili, por ishte Dani Alves që e detyroi ta vishte dhe të bëhej lojtari kryesor i skuadrës.

“Para Kupës së Konfederatave të vitit 2013, kur trajneri Scolari po ndante numrat, unë i thashë që pëlqeja numrin 7 dhe 11”, tha Neymar në një intervistë për “UOL Esporte”. “Ishte Dani Alves që mu kthye dhe tha: Ti je numri 10, vishe. Duhet ta përdorësh”.

Sot numri është pjesë e pandashme e Neymar dhe ai e mban atë edhe te Paris SG. Por edhe pse emrat e tjerë që e kanë mbajtur janë legjenda të futbollit, Neymar nuk mbetet pas, sepse që tani është golashënuesi i tretë në historinë e kombëtares amerikano-jugore, me 59 gola në 94 ndeshje, duke qenë veëm 26 vjeç./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.