Nga ”buçko” në portierin më të shtrenjtë në botë

Daniel Pavan do të jetë njeriu më krenar në Brazil pas disa ditësh, kur Alisson Becker të debutojë në Premier League me fanellën e Liverpool. Sepse vetëm një dekadë më parë ai pati frikë se mos Alisson do të dështonte në këtë sport, pasi konsiderohej shumë i shkurtër dhe shumë i shëndoshë.

Braziliani sot është 1,93 metra i gjatë, por gjatë kohës kur luante në akademinë e Internacional, po haste shumë vështirësi. Problemi kryesor ishte nepsi i tij për lëngje frutash dhe biskota, por edhe fakti që nuk po rritej, duke u bërë kështu pengesë për kalimin e tij në skuadrën e parë.

Portieri më i shtrenjtë në botë sot, i blerë për mbi 70 milionë Euro nga Liverpool, madje pati edhe probleme me familjen e tij që i kërkoi të linte futbollin e të merrej me mësimet. Por Pavan, trajneri i portierëve te skuadra braziliane, rrëfeu për “The Sun” se ka luajtur një rol vendimtar në vendimin e Alisson për të ardhmen, duke e bindur që ta provonte edhe për një tjetër vit.

“U ndjeva shumë mirë dhe krenar kur pashë Alisson të luante në Kupën e Botës dhe të transferohej në një prej klubeve më të mëdhenj të botës”, tha ai. “Kur nisi të merrej me futboll ishte portier i shkurtër dhe më i shëndoshë se të tjerët. Shpesh nuk luante titullar dhe ndonjëherë nuk e merrnin as në stol. Një ditë prindërit e tij më takuan dhe më thanë se djali i tyre nuk kishte të ardhme në futboll. Ata mendonin se do të kishte më shumë sukses nëse shkonte në shkollë dhe mësonte. Donin që ta largonin nga klubi por unë i binda që të mos e bënin këtë sepse ai kishte ende shmë potencial për t’u bërë portier i madh”.

“Si fizik ai ishte më i ngadaltë se djemtë e tjerë të moshës së tij, por kishte reflekse të mira dhe rrezikuam”, kujton Pavan. “Falë Zotit ata më dëgjuan. Një vit më vonë ai ishte zgjatur, arriti 1,90 metra dhe filluan ta grumbullonin edhe me kombëtaren”.

Pavan ruan kontakte me Alisson edhe pse ai u largua nga Internacional për te Roma në vitin 2016. “Në 13 vjet që ai qendroi aty, 8 i ka kaluar duke punuar me mua”, kujton trajneri brazilian. “Mendoj se ne kontribuam shumë në rritjen e Alisson, si sportist, njeri dhe qytetar. Tani jemi miq dhe flasim ende. Jam mik shpie”.

Alisson, i cili ka origjinë gjermane, siç lë të kuptohet edhe mbiemri i tij Becker, i njëjtë me legjendën e tenisit Boris, është lindur në vitin 1992 në Novo Hamburgo, një qytet rreth 30 kilometra larg Porto Alegres. Mamaja e tij merret me biznesin e pasurive të patundshme ndërsa babi me veshjet dhe këpucët e lëkurës. Vëllai i tij 31-vjeçar luan për Belenenses në Portugali.

Pavan thotë se steriotipet që shoqërojnë portierët amerikano-jugor si të paqëndrueshëm nuk vlejnë për Alisson. “Është shumë e vështirë të gjesh një pikë të dobët tek ai. Alisson i ka të gjitha aftësitë bazë të një portieri dhe për më tepër është karakter i fortë. Është shumë i qetë në zonë. Ka një familje shembullore që gjithmonë e ka mbështetur. Edhe sot ata vazhdojnë të punojnë dhe gjithmonë e kanë bërë për të ndihmuar fëmijët e tyre në rrugën drejt suksesit”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.