Nga presioni në shtëpinë e kuqe te Tirana, Lerda flet përpara Bylisit

20 Shtator 2019

Partizani kolaudoj ofensivën në Kupë me shpresën që sulmuesit të gjejnë rrugën e rrjetës edhe në kampionat aty ku kërkohet fitorja më çdo kusht në sfidën kundër Bylis. Franko Lerda është i vetëdijshëm për formën që po kalon ekipi ballshiot por kjo është një sfidë ku të kuqtë futen në fushe vetëm për 3 pikët. Lerda lë gjithçka të hapur dhe për disa ndryshime të mundshme në formacion:
“I kam ndjekur në dy takimet ndaj Skënderbeut dhe Kukësit. Ne duhet të bëjmë një ndeshje shumë agresive, duhet të kemi shumë durim, pasi ata vrapojnë shumë, por në fund duhet të marrim tre pikët dhe të kemi sukses, pasi është një kundërshtar delikat. Sigurisht që mund te këtë disa ndryshime, por më parë duhet të vlerësoj gjendjen fizike të lojtarëve duke ditur që kemi luajtur të mërkurën në Kupë”
Lerda e pranon se presioni te Partizani është i madh:
“Kur luan për Partizanin dhe je kampion ke më shumë presion se të tjerët. Partizani sezonin e shkuar, kishte më pak presion se ky i sivjetshëm, pasi nuk u nis me objektivin e titullit kampion. Ndërsa ne duhet ta mbrojmë titullin. Kjo cilëson edhe presionin që ka skuadra dhe të gjithë ekipet përballë kampionëve duan të fitojnë”
Nuk mund të mungonte dhe një koment për Tiranën dhe formën që po kalojnë bardheblutë:
“Nuk kam kohë që të shoh Tiranën dhe kam parë vetëm një pjesë loje. Nuk kemi pse ti druhemi Tiranës. E kam ndjekur vetëm një ndeshje dhe i kam sjellë fat ndaj Luftëtarit, pasi ka fituar 3-0. Megjithatë duhet ta përgëzojmë pasi gjendet në vendin e parë, por objektivi dhe fokusi ynë është ndeshja ndaj Bylisit”.
(BalkanWeb)

www.balkanweb.com