Nga Zlatani te biseda me Piolin, rrëfehet spanjolli Brahim Diaz: Dua titullin, Champions-i s’na mjafton! Ja pse zgjodha Milanin…

13 Shtator 2020

Një javë më parë lua jti minutat e para me fanellën e Milanit, teksa të mërkurën erdhi edhe goli. Diçka më tepër se njëzet minuta gjatë të cilave u panë vetëm disa nga cilësitë e Brahim Diazit, që si armë të forta ka shpejtësinë dhe driblimet në hapësira të ngushta. Ka qenë vetë 21-vjeçari që në një intervistë për televizionin e klubit u është prezantuar edhe tifozëve të tij të rinj.

Cilat janë përshtypjet e para rreth ambientit Milan?

Shumë të mira sepse dihet se çfarë lloj shoqërie dhe organizimi ka Milani. Për mua është një privilegj të mbaj fanellën kuqezi. Historia e klubit më bën të ndihem edhe më tepër krenar për zgjedhjen time. Në vitin 2011 kam qenë në “San Siro” dhe ishte një përvojë e veçantë, siç është edhe fakti që stërvitem çdo ditë me shokët e mi.

Keni folur me Teo Hernandezin?

Po, dhe më ka dhënë plot këshilla të vyera. Një vit më parë ai la Madridin për Milanon dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të ndryshosh ambient. Grupi duket që është fantastik, ndaj nuk besoj se do të kem problem ambientimi.

Për më tepër që edhe Kastijeho është një mik i vjetër…

Le t’i themi gjërat siç janë, përveçse mik, është edhe bashkëfshatar imi. Më vjen mirë që do të jem në këtë aventurë krah tij.

Çfarë ju tha Zidani për këtë transferim?

Kam pasur fatin të punoj me trajnerë si Guardiola apo Zidan të cilët kanë luajtur dikur në Serinë A. Kur fola me Zidanin, më tha fjalë shumë të mira për Italinë. Milanoja, veçanërisht, i pëlqen shumë. Kisha shumë oferta dhe zgjodha të vija këtu. Tani asgjë tjetër nuk ka rëndësi.

Cili është lojtari që ju ka lënë më shumë përshtypje te Milani?

Ka shumë të tillë dhe e kam të vështirë të bëj zgjedhje. Di që secili prej tyre mund të bëjë diferencën në fushë, ndaj edhe unë do të mendoj për të dhënë më të mirën time sa herë skuadra të ketë nevojë.

Përse zgjodhët numrin e Ibrahimoviçit?

Sepse më pëlqen presioni. Ai është një legjendë dhe numri i tij është nder, ndaj unë do ta mbroj me pasion. Gjithmonë më ka pëlqyer të jep pjesë e një futbolli argëtues, ndaj uroj të kënaq edhe tifozët. Idhulli im ka qenë gjithmonë Iniesta, por jam shumë krenar që do të kem shansin të luaj me Ibrën.

Çfarë mund të na thoni për suedezin?

Ka një karakter të fortë dhe është një lojtar i madh që po na ndihmon të gjithëve me përvojën e tij. Ka fituar shumë kudo që ka qenë. Është kampion dhe një legjendë e Milanit, me të cilin unë po kam shansin të ndaj dhomat e zhveshjes.

Çfarë pritshmërish keni nga kjo aventurë e re që sapo keni nisur?

Nuk besoj se do të më mjaftojë vetëm talenti. Tek unë do të vlerësojnë punën dhe uroj që tifozëve t’u pëlqejnë vrapimet dhe driblimet e mia. Fundja, duhet të argëtohemi të gjithë së bashku. Dua të jap më të mirën në fushë, megjithatë e di se kam ende shumë për të mësuar nga kjo përvojë dhe shokët me të cilët do të ndaj stërvitjet.

Keni ndonjë ide ku do të luani apo nuk keni diskutuar ende me trajnerin?

Ndihem më mirë si fantazist, porse çfarë kam biseduar me Piolin do të mbetet mes nesh. Nuk do të komentoj këtë aspekt dhe dua vetëm që të mendoj për Milanin e të luaj sa më shumë. Jam në një klub legjendash si Maldini i cili vijon të jetë një fenomen edhe jashtë fushe.

Cilët janë objektivat që ju ka vendosur klubi për këtë sezon?

Milani duhet të aspirojë të fitojë titullin dhe të mos mjaftohet vetëm një kualifikim në Champions. Blerja e Tonalit dhe konfirmimi i Ibrahimoviçit janë shenja mjaft të mira. Ne mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe të mendojmë për të ngritur sa më shumë trofe.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com