Një dilemë dhe një shqetësim, Pacult duhet të vendosë

Një dilemë dhe një shqetësim, Pacult duhet të vendosë

Kukësi pret të mërkurën Laçin dhe do të kërkojë fitoren për t’u kualifikuar në finale. Për trajnerin Peter Pacult grupi i lojtarëve nuk është i plotë, pasi sikurse dihet sulmuesi Amido Balde është i dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm edhe për disa kohë, kjo për shkak të një dëmtimi që mori në sfidën e kampionatit kundër Kamzës. Gjithsesi ai ishte vetëm një opsion, pasi Guri është sulmuesi kryesor i skuadrës.

Shkodrani po kalon një moment të mirë dhe do kërkojë t’u shënojë bardhezinjve për herë të parë këtë sezon, pasi në tre përballjet e mëparshme në kampionat dhe në gjysmëfinalen e parë nuk ka mundur të realizojë gol.  Për momentin Pacult ka një shqetësim tjetër dhe një dilemë në prapavijë. Rustem Hoxha nuk luajti ndaj Partizanit për kampionat dhe në vend të tij luajti Alla, ndaj njëri prej tyre duhet të ulet në stol. Pikëpyetja lidhjet me Simon Rrumbullakun, i cili ka pësuar një dëmtim dhe është në dyshim për ndeshjen e së mërkurës.

Kjo është herë hera e dytë që Kukësi dhe Laçi përballen në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në vitin 2013 ndodhte për herë të parë dhe kurbinasit e drejtuar nga Stavri Nica kalonin në finale. Ndeshja e parë u luajt në stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe përfundonte në barazim pa gola, kurse në të kthimit bardhezinjtë fitonin me rezultatin 2-1. Nimani shënoi i pari për Laçin, ndërsa golin e barazimit e realizoi Peqini për skuadrën verilindore. Fatet e takimit i vendosi Emiljano Çela, me një gol të bukur nga jashtë zone.

Të dyja skuadrat kanë shkuar nga tre herë në finale. Kurbinasit e kanë ngritur dy herë trofeun, fillimisht kanë mposhtu Bylisin dhe më pas Kukësin. Verilindorët u hakmorën një vit më pas, kur me penallti triumfuan me Laçin dhe ngritën për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Më parë i kishte mundur Flamurtari, skuadër tjetër e kualifikuar në fazën gjysmëfinale këtë vit. /EDS/