Një gotë në barin që hapet vetëm kur luan Iniesta

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
10 Shtator 2018 23:54

Ditët e ndeshjeve ishin të shenjta në barin e Lujanit në Fuentealbilla, një qytezë e vogël në mes të zonës më të premtuese për verërat në Spanjë, pranë Valencias. Kurdo që Barcelona luante, tifozët fanatikë do të mblidheshin aty për të parë ndeshjen në një ekran të madh duke bërë tifo për një lojtar special. Sepse Andres Lujan, është gjyshi i Andres Iniestas.

Kur ishte fëmijë, Iniesta luante aty, duke prekur topin e parë pak ditë pasi ishte ngritur në këmbë. Të gjithë e dinin ku ta gjenin Andresin e vogël, duke luajtur me top në oborrin e lokalit. Aty ai kalonte thuajse gjithë ditën, hante drekën dhe bënte detyrat e shtëpisë pas shkolle.

Sot, çdo centimetër i atij vendi është i mbuluar me fanella, këpucë dhe suvenire të përhapura kudo mbi fletë gazetash apo revistash. “I kemi blerë të gjitha sapo mbërritën në kisokë dhe kishte shumë”, thotë Lujan për “The Sun”.

Bari i Lujanit është hapur për herë të parë në vitin 1975 si një vend ku gjithkush mund të pinte një gotë birrë, por prej vitesh tashmë qendron i mbyllur, për t’u hapur vetëm në ditët kur luan Iniesta. Të shtunën do të hapet sërish, kur klubi i ri i Iniestas, Vissel Kobe, të luajë kundër Gamba Osakas, në orën 11 të mëngjesit.

Edhe pse pjesa më e madhe e 2000 banorëve të qytezës janë tifozë të Real Madrid, bari është edhe selia e tifoklubit të Barcelonës. Gjithashtu është edhe një vend i mirë për të ndjekur ndeshjet e Spanjës.

Dita më e rëndësishme, kur ndodhi edhe një lëkundje sizmike, ka qenë pikërisht një mbrëmje korriku e vitit 2010, kur në minutën e 116-të të finales së Kupës së Botës, Andres shënoi golin që i dha Spanjës titullin më të rëndësishëm në historinë e saj. Brenda në bar ishte plot pasi të gjithë donin ta shihnin ndeshjen aty. Në fakt, e gjithë Spanja po shihte.

Përballë barit qendron një statujë e trofeut të Kupës së Botës, ndërsa përbri saj një tjetër statujë e vetë njeriut që shënoi atë gol. Adresa? Rruga “Andres Iniesta”…

Gjyshi tregon se si nisi gjithçka: “Babai i tij pa një reklamë në gazetë, Albacete kërkonte lojtarë për skuadrat e moshave kështu që e çoi për një provë. Ishte tetë vjeç”. Duke qenë se Albacete ishte 45 minuta larg me makinë, të gjithë në qytezë u angazhuan që lojtarit të ri të mos i mungonte asgjë, edhe shkolla u tregua tolerante me oraret për t’i mundësuar të ndiqte ëndrrën. “Atje ai u bë menjëherë shefi dhe kështu ndodhi edhe te Barcelona. I ngjiti shkallët hap pas hapi, për të mbërritur aty ku dëshironte, dhe ku e meritonte”.

Në moshën 12-vjeçare shkoi në akademinë e famshme të Barcelonës “La Masia”, për ta lënë mes lotësh, 22 vjet më pas, përmes një konference për shtyp. “Mbërritja këtu si një fëmijë i vetëm, i ndarë nga familja, por gjithë ajo sakrificë ia vlejti. Nëse dëshiron diçka duhet ta bësh këtë sakrificë”, tha Andres atë ditë.

Tani ai luan në një qytet 10000 kilometra larg dhe 7 orë para Fuentealbillas. Banorët nuk janë përshtatur ende me orarin e ri, pasi Iniesta ka luajtur pak ndeshje për skuadrën e tij të re. Edhe pse ndeshjet e kampionatit japonez mund të shihen aty në zemër të Spanjës në saj të satelitit, ndjesia nuk është e njëjtë. “Më thonë që është shumë larg”, rrëfen Lujan. “Është shumë larg për mua dhe gruan time që të shkojmë atje. Sidoqoftë, do të vijë ai këtu sepse është një vend i qetë dhe ia kalon shumë mirë këtu me familjen dhe miqtë”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike