Njëri bën gati valixhet, ja si mund të ndryshojë sulmi i Milanit

Milan dhe Kalinic mund të divorcohen në fund të sezonit. Ish-sulmuesi i Fiorentinës, i cili është i huazuar te klubi kuqezi nga Fiorentina, me të drejtë blereje të kartonit, nuk ka arritur të shprehet në 100% të formës së tij në këtë sezon me fanellën e “Djallit” dhe largimi nga “San Siro” duket si një mundësi e mundshme. Për 30-vjeçarin kroat ka oferta edhe nga Kina ( të cilat i ka refuzuar në kohën kur ishte te klubi vjollcë), por gjithashtu pëlqehet edhe në Europë ku bie në sy interesimi i Bayer Leverkusen. Në fakt nuk mendohet se është ky realisht shkaku i vërtetë i largimit të Kalinic. Futbollisti kohët e fundit nuk ka pasur marrëdhenie shumë të mira edhe me trajnerin Rino Gattuso, i cili nuk e ka bërë pjesë të skuadrës së fundmi. 40-vjeçari nuk ka dashur të bëjë shumë komente përsa i përket kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër, Milani është vigjilent edhe në merkaton për afrimet e reja. Kuqezinjtë kanë si synim Memphis Depay. Nuk është një sekret që 24-vjeçari i Lyon, të jetë objektivi i parë i drejtuesit Massimiliano Mirabelli. Lojtari vlerësohet rreth 30 milionë euro dhe në deklaratën e tij të fundit duket i ka lëshuar sinjale të qarta klubit kuqezi për një kalim të mundshëm në Milano: “Milani është një shoqëri e madhe, me një histori të madhe, por ka edhe disa klube të tjera në botë që janë fantastikë.” Megjithatë drejtori sportiv, Mirabelli duket i vendosur për të siguruar shërbimet e lojtarit, i cili do të ishte një përforcim me vlerë në radhët e klubit kuqezi dhe do ta ndihmonte skuadrën për sezonin e ardhshëm të Seria A. /EDS/