“Nuk e kam menduar kurrë dorëheqjen”, Zidan: Sot Reali e ka si finale Champions-i, Isko do të…

27 Tetor 2020

Zinedin Zidan e konsideron si një finale ndeshjen e sotme në Ligën e Kampionëve kundër Gladbahut. Trajneri i Realit të Madridit thotë se skuadra duhet të luajë ashtu si ndaj Barcelonës, të jetë e përqendruar gjatë 90 minutave dhe në këtë mënyrë do t’ia dalë të marrë 3 pikët. Numri një i “Galaktikëve” tregon se kurrë nuk e ka menduar dorëheqjen dhe gjithmonë do të luftojë deri në ditën e fundit që do të jetë trajner i Realit. Ai foli edhe për Serxho Ramosin, Hazardin dhe polemikat e Iskos. Sipas tij, të gjithë lojtarët duan që të luajnë, por është trajneri që vendos dhe zgjedh më të mirët për të arritur rezultatet pozitive për skuadrën. Reali do të kërkojë të marrë pikët e para mbrëmjen e sotme (21:00) në Gjermani, pasi në ndeshjen e parë humbi kundër Shahtjorit 2-3.

RAMOS – “Kemi një ndeshje shumë të vështirë dhe të gjithë duam që të fitojmë. Nuk mendojmë aspak për rinovimin e Serxho Ramosit. Edhe ai vetë është i përqendruar te ndeshja”.

POLEMIKAT – “Nuk më bezdis aspak ajo që thuhet. Ne jemi të fokusuar vetëm te gjërat që bëmë në fushën e lojës dhe te fakti që luajtëm mirë. Tani duam që të bëjmë të njëjtën gjë edhe në Champions. E di që na pret një ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi të përqendruar dhe të luftojmë deri në fund. Do të jetë një duel i komplikuar”.

HAZARD – “Fakti që është grumbulluar me ne, do të thotë se është mirë dhe ky është lajm fantastik. Jemi të gjithë të lumtur që e kemi me vete. Të shohim nëse mund ta aktivizojmë, por rikthimi i tij është diçka pozitive”.

DORËHEQJE – “Unë mendoj vetëm për ndeshjet. Do të luftoj deri në ditën e fundit që do të jem pjesë e Realit, ashtu siç kam bërë gjithmonë. Pjesën tjetër do ta shohim”.

GLADBAHU – “Ne duhet të vazhdojmë atë që bëmë në fundjavë dhe të luajmë mirë për 90 minuta. Kemi sfida çdo tri ditë dhe janë të vështira, ashtu si ajo e nesërmja (sotmja). Kemi shumë shanse për të fituar nëse luajmë si ndaj Barcelonës. Është si finale”.

RROTACION – “Do ta shihni në fushën e lojës cilët do të luajnë. Nuk dua të flas për këtë gjë”.

MBROJTJA – “E dimë që sezoni është i gjatë dhe do të na duhen të gjithë futbollistët. Është e vërtetë që kemi pasur probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, por shumë lojtarë janë të gatshëm të bëjnë atë rol dhe të na ndihmojnë”.

ISKO – “Isko do që të luajë më shumë, ashtu si të gjithë lojtarët. Kjo është diçka pozitive. Lojtarët duhet të jenë gati dhe do të kenë mundësinë e tyre. Unë marr vendimet për formacionin dhe për skuadrën që zbres në fushën e lojës. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

www.panorama.com