Nuk lejohen gabimet, Inter përballë “murit” të Borussia në Champions

05 Nëntor 2019

Pas ecurisë së shkëlqyer në këtë sezon të Serie A, Inter kërkon vazhdimësinë edhe në Champions League. Ky mision i Antonio Conte dhe të besuarve të tij kalon nga një sfidë direkte dhe e vështirë siç është transferta kundër Borussia Dortmund. Zikaltërve nuk iu lejohen gabimet. E thotë Conte, por edhe shifrat në renditjen e Grupit F.

Inter dhe Borussia kanë nga katër pikë pas tre ndeshjeve të para, ndërsa falë fitores në sfidën direkte, italianët mbajnë vendin e dytë me tri pikë më pak se Barcelona. Në këtë mënyrë, një humbje do të ndërlikonte shumë kualifikimin. Conte pret golat e dyshes Lukaku-Martinez që deri tani nuk kanë zhgënjyer, teksa kthehet në dispozicion edhe Sensi, megjithëse vështirë se do të luajë nga minuta e parë.

Ndërkohë, në dyshim për gjermanët është vetëm kapiteni Marko Reus, i rikuperuar nga dëmtimi, por aktivizimi i tij është në pikëpyetje. Në sfidën tjetër të Grupit F, Barcelona ka shansin më të mirë për t;u shkëputur në vendin e parë.

Kampionët spanjollë presin në “Camp Nou” Slavia Prague dhe në letër, Messi dhe shokët e tij nuk duhet ta diskutojnë fitoren. Pritet të vendosin shumë sfidat e mbrëmjes së sotme në grupin E.

Liverpool pret në fushën e tij Genk, ndërsa Jurgen Klopp dhe të besuarit e tij janë favoritë absolutë. Në fushën e tij luan edhe Napoli. Kryesues deri në këtë moment, italianët e Carlo Ancelotti përballen me Salzburg, por rezultatet negative të javëve të fundit në Serie A kanë përshtjelluar atmosferën te napolitanët.

Një sfidë direkte për kreun rezervon Grupi H. Chelsea luan në “Stanford Bridge” kundër Ajax. Dy javë më parë, Blutë e Londrës fituan në Amsterdam, ndërsa një tjetër sukses do të afronte skuadrën e Frank Lampard me kualfikimin. Në sfidën tjetër të këtij grupi Valencia luan kundër Lille.

Me interes edhe ndeshjet e Grupit G, deri tani shumë i ekuilibuar. Leipzig ka diçka më shumë se rivalët, por shumë gjëra mund të ndryshojnë në transfertën ruse kundër Zenit. Përballja tjetër e grupit do të diskutohet mes Lyon dhe Benfica.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com