Ose rigjen formën, ose ikën në janar. Juventusi humbet durimin me Dibalën

11 Nëntor 2020

Në fillim dëmtimi me Lionin, i cili e bëri të dalë me lot nga fusha, më pas pozitiviteti i gjatë me “COVID”, sërish një dëmtim, nga i cili nuk ka gjetur ende formën e tij më të mirë dhe së fundmi një problem urinar, i cili i mohoi edhe grumbullimin me Kombëtaren e Argjentinës. Ky vit 2020 ka qenë vërtet i zi për Paulo Dibalën dhe fatkeqësisht dritë në fund të tunelit nuk duket ende. Ndoshta, kjo pauzë e kombëtareve duhet ta ndihmojë numrin 10 bardhezi, për t’u kuruar dhe për të punuar edhe në aspektin muskulor e psikologjik, duke parë edhe akuzat e shumta që e shoqëruan në fund të ndeshjes me Lacion.

Por akoma më shumë se kjo, problemi i fundit është përplasja me drejtuesit e klubit, të cilët i kanë vënë një ultimatum argjentinasit: “Ose rigjen veten dhe formën e tij më të mirë, ose largohet që në merkaton e janarit”. E fortë, por e vërtetë, është ky ballafaqimi i fundit që Dibala ka pasur me krerët drejtues, ndoshta nisur edhe nga fakti se 26-vjeçari vazhdon të shtyjë ofertat për rinovim të ardhura nga Juventusi. Nëse klubi kërkon të kalojë nga 7 në 10 milionë euro, futbollisti kërkon të paktën 12 për të qëndruar dhe në fund, rezultati i kësaj ka qenë ultimatumi i mësipërm.

Një tjetër fakt është se prej dy vitesh, Paulo Dibala nuk është më i paprekshmi i Juventusit, madje vetë bardhezinjtë nuk kanë bërë asgjë për ta fshehur këtë. Dhe ndoshta duke u bazuar edhe në aspektin fizik të lojtarit, bashkuar këtu me efikasitetin e lartë që po tregojnë të paktën deri tani blerjet Morata, Kulusevski e Kieza, kampionët e Italisë nuk janë më aq të bindur sa për ta mbajtur me çdo kusht Dibalën, për të mos rrezikuar ndoshta që edhe vlera e tij të bjerë.

Sigurisht, Juventusi nuk është nga ato skuadra që shet yjet e tij në mes të sezonit, por në rastin e numrit 10 të skuadrës, duke parë se klube si Mançester Junajtid, Reali i Madridit, apo ndoshta edhe PSG-ja e Bajerni i Mynihut, nuk do të nguronin që të hapnin një ankand për kartonin e Dibalës, për të cilin Juventusi do të kënaqej edhe me 70-80 milionë euro.

PËRGATITI: JETON STAMOLLA

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan