Pa Champions dhe pa Botëror, dy finale të humbura në dy muaj

18 Korrik 2018

Çfarë mund ta përkufizojë një sezon për t’u harruar se sa dy finale të humbura brenda një viti, ose më saktë brenda dy muajsh? Është një mallkim që u përsërit edhe në këtë Botëror, por përgjatë historisë së kohëve të fundit, disa lojtarë kanë vuajtur këtë mbyllje dramatike të sezonit.

I fundit që i shtohet listës së lojtarëve që kanë hubmur në një sezon finalen e Champions League dhe atë të Kupës së Botës është Dejan Lovren, mbrojtësi kroat i Liverpool, i cili me siguri që do ta mbajë mend mirë këtë dopio dështim.

Edhe pse u vetëshpall një prej mbrojtësve më të mirë në botë, Lovren e mbylli sezonin me dy medalje nënkampioni, pasi Liverpool u mund në finalen e Champions nga Real Madrid dhe Kroacia nga Franca në finalen e Kupës së Botës. Por përveç kroatit, janë edhe disa lojtarë të tjerë që kanë pasur këtë fat të keq, të cilët do t’i mësoni më poshtë.

Michael Ballack, Carsten Ramelow, Oliver Neuville dhe Bernd Schneider ishin të tre lojtarë të Bayer Leverkusen që u mund 2-1 në finalen e Champions League të vitit 2002 nga Real Madrid, falë një perle të Zinedine Zidane që do të mbahet mend gjatë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, tre gjermanët do të humbisnin edhe finalen e Botërorit të atij viti, ku Ronaldo Fenomeni mposhti dy herë legjendën Oliver Kahn. Ballack madje as nuk mundi ta luante atë finale pasi ishte pezulluar për shkak kartonash.

Katër vjet më pas ishte radha e Thierry Henry që të provonte këtë ndjesi. Sulmuesi i Arsenal ishte vendimtar për arritjen e klubit të tij në finalen e Champions League atë vit, me një gol të tijin ndaj Real Madrid që mbetet ikonë e atij sezoni për “Topçinjtë”. Por atë natë pariziene, londinezët u mundën 2-1 nga Barcelona. Dy muaj më vonë, sulmuesi ishte sërish në fushë për një tjetër finale, atë të Kupës së Botës. Protagonist përsëri Zidane, i cili me goditjen me kokë ndaj Materazzit në atë mbrëmje korriku në Berlin ndihmoi Italinë të shapllej kampione e botës.

Edhe viti 2010 do të kishte të njëjtin mallkim, këtë herë për dyshen holandeze Arjen Robben-Mark van Bommel. Vendimtarë për Bayern Munchen gjatë gjithë sezonit, një skuadër e fortë që u ndal vetëm nga Interi tripletës në finalen e Madridit me dy perla të Diego Milito. Nga maji në korrik, sërish një zhgënjim edhe më i madh për ta, sidomos për Robben, i cili humbi një rast të pastër për Holandën kundër Spanjës në finalen e Kupës së Botës, para se Iniesta të shuante përfundimisht të gjithë shpresat.

E nëse udhëtojmë më pas në kohë, mund të gjejmë emra të tjerë të mëdhenj që kanë pasur këtë fat. Si Paul Breitner e Karl-Heinz Rummenige në vitin 1982, kur humbisnin finalen e Kupës së Kampionëve kundër Aston Villa-s dhe atë të Botërorit spanjoll, kundër Italisë.

Ndërsa në 1958-n e largët ishte suedezi i Milanit Nils Liedholm i cili pësonte zhgënjim të dyfishtë, pasi në fillim humbiste finalen e Kupës së Kampionëve me kuqezinjtë kundër Real Madrid e më pas kombëtarja e tij mundej 5-2 në finalen e Botërorit që organizohej në shtëpi, kundër Brazilit të një adoleshenti të quajtur Pele…/EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan