Panucci-t nuk i mbajnë nervat: Ku të vete pa 14 lojtarë?

Panucci-t nuk i mbajnë nervat: Ku të vete pa 14 lojtarë?

Shqipëria ka mbyllur negativisht përfaqësimin e parë në Ligën e Kombeve dhe tashmë e ka spostuar vëmendjen te takimi kundër Uellsit, miqësore që do të luhet nesër në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë që këtë herë vijnë me moralin poshtë, do të luajntë kundër një rivali më të fortë, por që mendjen mund ta kenë ende tek ajo humbje turpëruese 0-4 nga Skocia në “Loro Boriçi”.

E si të mos mjaftojë e gjithë tymnaja që la pas humbja, Panucci tashmë përplaset edhe me gazetarët në sallën e konferencave për shtyp. Në konferencën e fundit para përballjes kundër Uellsit, Panucci i “ka treguar dhëmbët” gazetarit që përfaqësonte në sallë kompaninë “Super Sport” duke i thënë se duhet të shohë që ai kishte 14 mungesa e mbi të gjitha luajti kundër Skocisë me 8 lojtarë që nuk aktivizohen. Por, kjo nuk e shfajëson italianin, i cili ka harruar se çfarë është fitorja.

Duka – “Qëndrim në Kombëtare? Pyetjen duhet t’ia bësh Dukës jo mua, unë do të jem trajneri deri sa të më thonë që nuk jam, punoj me seriozitet e qetësi, duke u munduar që të mbaj ekuilibrin. Ka disa të vërteta që nuk ka interes të thuhen, duhet të zgjidh problemet e ekipit dhe kjo është e gjitha”.

Skocia – “Siç thashë pas ndeshjes me Skocinë, jam unë përgjegjësi absolut i këtij momenti, kush thotë që një vit më parë skuadra nuk bënte mirë. E gjeta ekipin të katërtin, e çova të tretin në grup. Pastaj viti 2018 është negativ. Askujt nuk i intereson dhe nuk i ka interesuar që të thuhet se një vit, një vit e gjysmë i mungojnë të paktën 6-7 lojtarë këtij ekipi, nuk i intereson askujt, duke menduar se jemi Gjermania, Brazili”.

Kritikat – “Gjermania është e fundit, i shkreti Loë. Duke marrë në konsideratë që lojtarët që thërras, nuk luajnë as me klubin, kjo nuk i ka interesuar askujt. Se në 2016 Shqipëria shkoi në Europian dhe duhet të shkojë çdo vit, jam i bindur se kur mund të jenë të gjithë lojtarët, i gjithë grupi, ky ekip mund të shkojë në Europian, e meqë unë jam përgjegjësi i këtij momenti të vështirë. U mundova të sjell një ide në këtë vit për futbollin, sidomos për Ligën e Kombeve se ishin skuadra të nivelit tonë”.

Pozicioni – “Sigurisht që pozicioni im nuk është i sigurt se nuk fitohet prej shumë kohësh, por ideja që u munduam të sillnim deri te Norvegjia, u pa. Ishte ide që e patë edhe ju, por në fund nuk ishte e qëndrueshme. Jo se nuk mund ta bëj me këtë lojtarë, por nuk i stërvit çdo ditë. Nëse do t’i stërvitja çdo ditë, kondicioni do ishte ndryshe, ideja e njëjtë. Duhet të prek sa më pak të jetë e mundur. Edhe pas Ligës së Kombeve, shumë emra të mëdhenj kanë rënë, nuk di të them nëse e ndërrojnë apo jo trajnerin. Problemi i ndërrimit të trajnerit është i fundit që kam”.

Europiani – “Nuk ka prova në Kombëtare, sollëm një ide që nuk funksionon. Liga ishte mënyrë për të shkuar në Europian, tani janë kualifikimet direkte. Koha për të punuar është, pastaj nëse e bëj unë apo jo merrni Dukën në telefon e pyeteni është apo jo Panucci.  Unë kam kontratë deri në nëntor 2019, nëse shkoj në Europian vazhdoj, në të kundërt kthehem në shtëpi. Kam respekt për punën dhe kush më paguan. E vuaj shumë dhe nuk e lë të shihet, rri i ekuilibruar”.

Stoli- “Jam i lumtur që jam trajneri i Shqipërisë. Çfarë të bëj, duhet të qaj. Në jetë duhet të shohësh para. Vend tjetër? Unë jam i lumtur që jam këtu. Përqindjet duhet ti bëni ju. Nëse Duka ka besim më mban, nëse jo më çon në shtëpi. Kur thoni Kosova apo Ukraina, nuk të intereson nëse mungojnë 14. Pa 14 lojtarë Shqipëria nuk është konkurruese. Më shqetëson shumë.

Tomas Ezekuel Guidara – “Mbrojtësin në Argjentinë e di, e kam parë, por nuk e kam thirrur asnjëherë”.

Kampionati vendas – “Nuk është e vërtetë, Gavazaj e Lilaj u thirrën te Skënderbeu, Guri te Kukësi, kur është një i aftë e thërrasim. Guri tani që është jashtë e nuk luan, nuk e thërras”. /EDS/

**************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.