Paris SG prezanton trajnerin e ri, Al-Khelaifi e hiperbolizon

Paris SG ka konfirmuar sot Thomas Tuchel si trajnerin e tyre të ri për dy sezonet e ardhshme. Tsh-trajneri i Borussia Dortmund do të zëvendësojë Unai Emery që po largohet nga kampionët e Francës, me të cilët fitoi gjithçka brenda vendit, por dështoi në Champions League. Emery prej kohësh kishte konfirmuar vendimin e tij, se ai do të largohet nga klubi pas përfundimit të këtij sezoni. Një deklaratë në faqen zyrtare të PSG shkruhet: “Paris Saint-Germain ka kënaqësinë të shpallë ardhjen e Thomas Tuchel si trajner i ekipit. Tekniku gjerman nënshkroi një kontratë dyvjeçare me kampionin e klubit të Francës”. Pas emërimit të gjermanit, presidenti i PSG Nasser Al-Khelaifi u shpreh: “Unë jam shumë i lumtur të mirëpres Thomas Tuchel si trajnerin e ri të Paris Saint-Germain. Thomas është një nga trajnerët më konkurrues evropian që ka dalë në nivelin më të lartë në vitet e fundit”.

“Ai është i mbushur me parimet e futbollit spektakolar dhe efikas që kanë qenë gjithmonë në zemër të futbollit gjerman, sidomos në arenën ndërkombëtare. Personaliteti i tij ambicioz, filozofia e tij për të luajtur në sulm dhe fuqia e karakterit të tij janë pjesë e stilit që ne kemi dashur gjithmonë në Paris Saint-Germain. Ky është stil që tifozët e klubit tonë të të gjitha kohërave kanë kërkuar dhe admiruar”, shtoi ai. Tuchel e pret një punë e vështirë përpara, pasi ai duhet t’i mbushë mendjen yllit brazilian Neymar që të mos largohet nga klubi. 26-vjeçari është lidhur shpesh me një transferim në Madrid te Reali, megjithatë trajneri gjerman do të bëjë gjithçka për t’i ndryshuar mendjen brazilianit. Kontrata e tij është dyvjeçare, por misioni i tij i vërtetë është të ketë sukses në Champions League, një kompeticion aq i dashur për drejtuesit. Tuchel ka drejtuar tre ekipe, Augsburg II (2007-2008), Mainz 05 (2009-2014) dhe Borussia Dortmund (2015–2017), ndërsa ka fituar vetëm një trofe, DFB-Pokal me verdhezinjtë gjatë sezonit 2016–2017. /EDS/