Partizani largon krizën dhe prek titullin, Flamurtari sheh Europën

10 Prill 2019

Dy gola për të kaluar krizën e rezultateve dhe për t’i dhënë një tjetër goditje garës për titullin kampion. Partizani kthehet te fitorja dhe me shifrat 2-0 kalon Skënderbeun në “Selman Stërmasi” në ndeshjen e javës së 28-të të Superligës. Korçarët provuan të vendosnin në vështirësi kryesuesit, por u ndëshkuan në minutën e 26-të.

56219942 1038747706319625 151570602761650176 N

Belica përfitoi në harkimin nga këndi dhe në rrëmujë brenda zonës e dërgon topin në rrjetë. Nuk sollën asgjë në rezultat minutat e mbetura të pjesës së parë që u mbyllën me epërsinë minimale të skuadrës së kuqe. Me rikthimin në fushë pas pushimit, Partizani vulosi fitoren në minutën e 52-të.Trashi fitoi një 11-metërsh të kundërshtuar gjatë nga futbollistët e Skënderbeut, ndërsa nga pika e bardhë Asani goditi saktë për të vrarë sfidën. Me këtë fitore, të besuarit e Gegës ngjiten në kuotën e 57 pikëve dhe ruajnë diferencën e sigurisë prej nëntë pikësh me Kukësin. Matematika nuk e lejon të festojë, por kur mbeten edhe shtatë javë nga fundi, titulli është në dorën e Partizanit.

Xhevahir Sukaj Flamurtari

Në sfidën tjetër të mbrëmjes të së mërkurës për javën e 28-të të Superligës, Flamurtari mundi 3-1 Teutën për të kaluar në renditje të gjithë rivalët direktë në garën për Europën. Gjithçka e lehtë për vlonjatët e Ilir Dajës që kaluan në epërsi që në minutën e parë me Ribaj. Kaq për pjesën e parë, ndërsa me rikthimin në fushë në minutën e 56-të, Sukaj dyfishoi shifrat. Traore në të 65-ën ktheu në lojë Teutën, por shpresat e durrsakëve për të dalë me pikë nga kjo transfertë u shuan në limitet e kohës së rregullt, kur Batha nga pika e penalltisë arshivoi fitoren e Flamurtarit që përtej çdo parashikimi e sheh veten në vendin e tretë.
(balkanweb)

www.balkanweb.com