Partizani sqaron “sherrin” për tribunat, Burba: Jemi përgjegjës për organizimin. Tifozëritë janë ndarë sipas rregullave të stadiumit!

11 Dhjetor 2019

Partizani ka zyrtarizuar ditën e sotme ndarjen e tribunave dhe çmimet e biletave për derbin e madh të kryeqytetit ndaj Tiranës, ndarje që ka prodhuar debat nga ana e klubit bardheblu, që ka dëshiruar tribunën “Fatmir Frashëri” për tifozërinë e saj, e cila nga organizatorët e Partizanit është vendosur në tribunën “Vasillaq Zëri”, ku edhe ndodhet sektori mik në stadiumin e ri “Air Albania Stadium”.

“Ballkanweb” ka kontaktuar me sekretarin e klubit të kuq, Gerald Burba, i cili ka dhënë një prononcim zyrtar duke qartësuar dhe atë se çfarë është diskutuar në zyrat e Drejtorisë së Policisë dhe ka hedhur dritë mbi zhurmën e krijuar rreth kësaj çështjeje.

Burba

“Ishte mbledhja e zakonshme përpara një derbi, mbledhje që u zhvillua në Drejtorinë e Policisë mes përfaqësuesve të Partizanit, të Tiranës, delegatit të FSHF Bujar Pregja dhe drejtuesve të policisë. Ne, si pala organizatore, paraqitëm masat e sigurisë dhe hartën e ndarjes së tribunave së tifozëve,” thekson Burba.

“Drejtuesit e Policisë kërkuan gojarisht ndryshimin e tribunave për shkak të organizimit të jashtëm të tifozëve dhe faktit se ata u shqetësohen marshimeve të grupimeve. Këtë ide e mbështeti dhe Tirana, por kërkesa e tyre ishte e lidhur vetëm me emrin që mban tribuna,” sqaron sekretari i klubit Partizani.

“Pas këtyre kërkesave, u bëmë me dije drejtuesve të policisë se Partizani, si organizator i ndeshjes, mban përgjegjësi për atë çka ndodh në stadium dhe jo për atë që ndodh në rrugët e qytetit. I sqaruam përfaqësuesve të policisë se tribuna “Vasillaq Zëri” është projektuar për tifozëritë mike dhe ka të gjitha elementët e sigurisë që na garantojnë mbarëvatjen e ndeshjes. Jo më kot kemi lënë bosh dhe një sektor të stadiumit, për ta rritur edhe më sigurinë, që tifozët të shijojnë një ndeshje model për kampionatin shqiptar”, shtoi zyrtari i kuq.

Biletat Derbi

“Policisë i thamë se nëse nuk ekzistojnë kushtet për garantimin e sigurisë tek “Air Albania Stadium”, atëherë i bie që derbin ta çojmë në “Uembli”. Kjo sepse policia ansjëherë nuk ka dashur ta marrë përsipër derbin në “Selman Stërmasi” për shkak të sigurinë minimale në stadium. Sa i takon palës tjetër prezente në mbledhje, Federatës Shqiptare të Futbollit, delegati Pregja, nuk paraqiti asnjë vërejtje për masat e marra nga klubi ynë për sigurinë e ndeshjes,” përfundoi prononcimin e tij sekretari i klubit “Partizani”, Gerald Burba.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com