Partizani thyen Flamurtarin dhe sheh nga Evropa, Teuta keqtrajton Lushnjen

Partizani mposhti me rezultatin e ngushtë 2-1 në Vlorë ekipin e Flamurtarit duke u afruar edhe më shumë me Evropën. Me këtë sukses “Demat e Kuq” ngjiten në kuotën e 53 pikëve, në vend të katërt, dy më shumë se Laçi që barazoi me Kamzën. Edhe pse pati më shumë pritje nga Flamurtari, kuqezinjtë vuajtën shumë përballë një kundërshtari që duket më i uritur. Miqtë e nisin mjaft mirë ndeshjen teksa që në fillim provojnë me Abdurrahimin, por sulmuesi është i pafat, pasi topi godet traversën. Pas këtij momenti loja bëhet monotone, teksa mungojnë rastet e rrezikshme. Më tepër spikasin dyluftimet në mesfushë, ndonëse “Demat” janë kërkues. Partizani kaloi në avantazh në minutën e 34’ me anë të Abdurrahimit, i cili shënoi një gol të bukur pas një gjuajtjeje nga distanca. Edhe në të dytën Partizani është ekipi që luan më mirë, teksa Flamurtari vuan shumë. Abdurrahimi ka një mundësi të shkëlqyer për të dyfishuar shifrat, por i vetëm me portierin Sali gabon, me këtë të fundit që bën një pritje vendimtare (65)’. Gjithsesi “Demat e Kuq” e shënojnë golin e qetësisë 6’ minuta më vonë me Prognin, që me kokë mposhti portierin Sali. Në avantazh të dyfishtë Partizani luan më mirë duke administruar lojën, me vendasit që vuajnë shumë. Pak para fundit vendasit rihapin ndeshjen me Mustën, por vetëm kaq, pasi nuk ka më kohë.

Flamurtari-Partizani 1-2

Shënues: Abdurahimi 34′, Progni 72′/ Musta 88′

Teuta-Lushnja 6-2

Shënues: Latif 1′,40′, Beqja 17′, Peqini 73′, 76′, Hila 78′ 11-m / Sefa 5′, Ademi 75′

Teuta siguroi matematikisht qëndrimin në Kategorinë Superiore pas suksesit me goleadë 6-2 kundër Lushnjes në “Niko Dovana”. Vendasit e dominuan kundërshtarin nga fillimi deri në fund, duke zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer përballë një kundërshtari, që i ka hapur shumë punë këtë edicion në Superiore. Teuta e nis në sulm ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e parë me anë të Latif. 5’ minuta Sefa barazon ndeshjen, sulmuesi kërcen më lart se të tjetrët dhe e dërgon topin në rrjetë. Vendasit përgjigjen me Hakajn që kombinon bukur me Beqjan dhe më pas shkodrani gjuan drejt portës por largojnë lushnjarët. Beqja me një gjuajtje të bukur nga brenda zonës e dërgon topin në rrjetë. Çyrbja kroson në zonë nga e djathta për Beqjan, i cili e stopon bukur dhe mposht portierin. Kur mbushet gjysmë ore lojë Lushnja ka një mundësi të mirë të shënuar golin e barazimit, por Papa shpërdoron nga brenda zonës. Pak para fundit Teuta shënon edhe golin e qetësisë me anë të Latif, i cili nuk e pati të vështirë të mposhtte portierin e lushnjarëve pas asisit të shkëlqyer të Ardit Hilës. Edhe në të dytën Teuta është ekipi që administron lojën ndërsa shënoi edhe tre gola të tjerë. Gjithsesi golin e parë në këtë pjesë e shënoi Ademi, të cilit i mjaftoi vetëm një minutë për të mposhtur Kastratin. Për Teutën Jurgen Peqini, ishte protagonisti i fraksionit të dytë duke shënuar një dopietë, ndërsa goleada u plotësua me Hilën. Peqini shënoi një dopietë brenda tre minutash. Në të dyja rastet ai që jep pasën finale është Çyrbja, ndërsa Peqini nuk fal nga brenda zonës (73’. 76’). Pak para fundit shënoi edhe Hila, i cili ktheu në gol një penallti të kthyer nga vetë ai.

Luftëtari-Skënderbeu 3-1

Shënues: Liçaj 35′, Ramadani 72′, Bregu 84′ / Sowe 31′ 11-m

Luftëtari mposhti me përmbysje 3-1 në Gjirokastër ekipin e Skënderbeut, që edhe sot luajti me formacionin e dytë. Miqtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh, por bluzinjtë përmbysën gjithçka duke ‘blindur’ vendin e tretë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur. 45’ minutat e para ndërmjet Luftëtarit dhe Skënderbuet u mbyllën në barazim 1-1, me bluzinjtë, që zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 31 me anë të sulmuesit Ali Sowe, i cili ktheu në gol një penallti. Gjithsesi festa nuk zgjati shumë, pasi bluzinjtë katër minuta më vonë barazuan gjithçka me anë të mesfushorit Liçajt, që mposhti lehtësisht portierin Teqja. Edhe në pjesën e dytë vendasit janë më kërkues dhe pas disa tentativash gjejnë golin e avantazhit. Luftëtari kaloi për herë të parë në epërsi në këtë ndeshje në minutën e 71’ me anë të Ramadnit, që ktheu në gol një penallti. Pak para fundit, bluzinjtë shënuan edhe golin e qetësisë me anë të yllit vlonjat Dejvi Bregu, që në sezonin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e bluzinjve. /EDS/

********************************************

Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.