Pasuesi i Kristal Abazajt, Luftëtari e ka gjetur që tani

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
16 Maj 2018 10:32

Kristal Abazaj sezonin e ardhshëm do të luajë në Belgjikë me skuadrën e Anderlecht, pasi sulmuesi i Luftëtarit u shit nga ana e Skënderbeut, që e bleu sulmuesin anësor në janar dhe pa u mbyllur ende sezoni e transferoi për 750 mijë euro, madje pa luajtur asnjë minutë me bardhekuqtë, që e lanë tropojanin në huazim te gjirokastritët. Tanimë bluzinjtë kërkojnë të gjejnë zëvendësuesin e tij dhe lojtari që mendohet se mund ta pasojë në mënyrën më të mirë do të ishte një vlonjat.

Bëhet fjalë për Ardit Hoxhajn, sulmuesin 23-vjeçar që këtë sezon Skënderbeu e la në huazim te Flamurtari. Duke parë raportet mes Luftëtarit dhe korçarëve, kjo lëvizje mund të bëhet realitet, por duhet parë edhe dëshirë e vetë futbollistit.  Për të është me rëndësi të luajë dhe në Gjirokastër do kishte mundësinë të tregonte vlerat e tij. Hoxhaj shpërtheu në Ballsh në sezonin 2014-2015, duke realizuar 7 gola, ndërkohë që luajti në 31 takime (26 si titullar.)

Ballshiotët e shitën te Skënderbeu dhë në pjesën e parë të sezonit të shkuar në Korçë luajti vetëm dy ndeshje në kampionat. Në janar u huazua te Korabi dhe luajti në 15 takime, pa mundur të shënojë dot gol. Rikthimi te Flamurtari erdhi në verë dhe me kuqezinjtë ka shënuar 2 gola në 27 takime. Në 15 takime është përzgjedhur të luajë në formacion, por me siguri te Luftëtari do të kishte më shumë hapësira.

PROVAT – Luftëtari e ka nisur merkaton, pasi që në janar ka nënshkruar një parakontratë me Jurgersi Liçkollarin e Pogradecit, ndërkohë që disa të rinj të tjerë u bashkua me ekipin asokohe. Por sërish do të vëzhgohen të tjerë elementë interesantë dhe më pas stafi teknik do të vendosë për qëndrimin ose jo në ekip. Xhulio Mirani është një nga lojtarët që pritet të testohet në Gjirokastër. 25-vjeçari, i cili është nga Tepelena, në dy sezonet e fundit ka luajtur me Tomorin. Këtë sezon nuk ka pasur shumë hapësira me beratasit, pasi ka luajtur 6 takime si titullar nga 15 ndeshje në total. Në sezonin e mëparshëm është aktivizuar dyfishin, ndërkohë që kërkon të tregojë vlerat në Superiore. /EDS/

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike