Pogba kërkon largimin edhe nëse shkarkohet Mourinho

Paul Pogba dëshiron të largohet nga Manchester United, edhe nëse Jose Mourinho shkarkohet nga pankina. Mesfushori francez ndihet i pakënaqur në “Old Trafford” dhe do të përpiqet që të gjejë mundësinë së bashku me agjentin e tij, Mino Raiola që të nënshkruajë në Barcelonë. Marrëdhënia e lojtarit me stafin e United dhe vetë trajnerin duket e përkeqësuar, ndaj 25-vjeçari ka kërkuar që të largohet. I vetmi faktor që mund të ndryshojë mendjen e Pogba-së është pasuesi i Mourinho-s. Në rast se Zinedine Zidane, siç raportojnë mediat do të marrë drejtimin e “Djajve të kuq”, atëherë francezi mund të reflektojë rreth vendimit të tij për t’u larguar.

Sipas “The Sun”, ish-mesfushoti i Juventus u ka thënë shokëve të tij se ai nuk dëshiron të grindet me Mourinho-n për taktikat dhe përzgjedhjen e portugezit, dhe në vend të kësaj thjesht kërkon largimin nga klubi. Destinacioni i preferuar i 25-vjeçari mbetet “Camp Nou”. Katalanasit gjatë merkatos së verës tentuan të merrnin shërbimet e francezit, por klubi anglez refuzoi ta shiste.

Pogba bëri një lojë të dobët në përballjen e humbur 3-1 ndaj Ëest Ham në Londër, të shtunën e kaluar dhe tekniku portugez u detyrua ta zëvendësojë. Në kuadër të mungesave, Mou vendosi të përfshijë në mbrojtje edhe mesfushorin Scott McTominay.

Mou, së bashku me lojtarët duhet të fitojnë sonte ndaj Valencias në “Old Trafford” për të rikthyer atmosferën pozitive në klub dhe tek tifozët.

United po kalon një nga momentet më të këqija për 29 vite në kampionat, ku ka regjistruar deri më tani vetëm 10 pikë në shtatë ndeshjet e para. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.