Pornostare & amoniak: truket me të cilat Marseille e Canës mundi PSG në 2005!

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
11 Janar 2018 16:55
Ndeshja e bujshme e 13 vetëve më parë që u pasua nga polemika të shumta për ngjarjet e çuditshme. Ja prapaskenat...

Jemi në sezonin 2005-2006. Më 16 tetor, në orën 21:00, luhet në Vélodrome ndeshja midis Olympic Marsejë-Paris Saint Germain, ajo që në Francë quhet Le Classique (ekuivalentja e ClasicoSpanjë ose DerbyItali). Bëhet fjalë për ndeshjen më të veçantë në kampionat, për shkak të rivalitetit midis dy tifozerive.

Është java e 11-të. Të dy ekipet ndodhen në pozicione të ndryshme. PSG kryeson renditjen, kurse OM, renditet në vendin e dhjetë.

Rezultati i ndeshjeve të drejtpërdrejta ka vetëm një protagonist. Parizienët kanë fituar të 9 klasiket e fundit, dhe në këtë mënyre vijnë si të favorizuar në këtë ndeshje.

Ajo që ndodhi atë natë përpara një publiku prej 70 mijë njerëzve, është një spektakël i vërtetë. Një ndeshje në të cilën Marseja dominon, duke fituar me rezultatin 1-0 me golin e vetëm të shënuar nga kapiteni i Marseille, gjithashtu edhe i ekipit tonë kombëtar: Lorik Cana. Rezultati i ndeshjes, megjithatë, do të përflitet edhe për ngjarjet që ndodhën përpara fillimit.

Me të mbërritur në stadium, ekipi i PSG u shoqërua në dhomat e zhveshjes. Dukej gjithçka në rregull, deri në momentin që filloi të përhapej një erë e fortë amoniaku.

"Nuk merrnim dot frymë, dukej sikur po mbyteshim. Vendosëm të ndërroheshim tek shkallët, sepse era po na shkaktonte probleme tek sytë ", tregon Modeste M'bami, mesfushor i PSG-së në atë periudhë.

"Ata e kanë bërë qëllimisht këtë gjë", shpjegon Christophe Landrin, një tjetër lojtar i PSG.

Në këtë histori u përfshi edhe, José Anigo, trajner i Olympic Marseille i cili në përfundim të ndeshjes, do të deklaronte se e gjithë kjo është pjesë e një teorie konspiracioni, që shërben për të justifikuar lojën e dobët, që solli humbjen e PSG.

Sidoqoftë, historia nuk përfundon këtu.

Landrin gjithashtu akuzoi se para fillimit të ndeshjes, në hollin që ndan dhomat e zhveshjes nga tuneli për të hyrë në fushë, ishte e pranishme edhe Clara Morgane, një aktore simpatike franceze dhe ish-pornostare, e cila në një moment u përpoq të hynte në dhomën e zhveshjes së PSG.

"Në fillim e pashë në stadium me një mikeshë, pastaj kur e pashë në dhomat e zhveshjes, pyeta veten se çfarë bënte atje. Ajo ishte veshur në një mënyrë shumë të çuditshme për të parë një ndeshje futbolli. Shumë, shumë seksi. Sinqerisht, me gjithë këto ndodhi, nuk u përqendruam dot dhe është normalisht që do humbisnim”, tregoi Landrin pas ndeshjes.

Aktorja, e intervistuar nga mediat për të dhënë versionin e saj të historisë, disa ditë pas ndeshjes deklaroi: "Kur humb duhet të gjesh shkakun, dhe të mos krijosh justifikime. Atë mbrëmje, PSG luajti më keq se Marseille. Unë për veten time, mund të them se nuk e kalova natën me asnjë lojtar”.

Ajo ndeshje do të ndryshonte fatet e të dy ekipeve. PSG filloi tatëpjetën, duke e mbyllur sezonin në vendin e nëntë. OM, nga ana tjetër, filloi ngjitjen e saj duke përfunduar deri në vendin e pestë atë sezon.

 

SKEDA E NDESHJES:

Velodrome, Paris, 16 Tetor 2005

OLYMPIC MARSEILLE – PARIS SAINT GERMAIN 1-0

Golat: 78' Lorik Cana

 

OLYMPIC MARSEILLE: 16-Fabian Barthez; 2-Andre Luis Garcia, 3-Taye Taiwo, 4-Demetrius FERREIRA LEITE, 26- Bostjan CESAR; 14- Sabri LAMOUCHI, 19- Lorik CANA (c), 7- Franck RIBERY, 11- Mamadou NIANG (23- Habib BEYE 87`), 13-Christian GIMENEZ (22- Samir NASRI 70’), 8- Wilson ORUMA

PARIS SAINT GERMAIN: 16-Jérôme ALONZO; 2-David ROZEHNAL, 5-Bernard MENDY, 6-Mario YEPES (c), 22-Sylvain ARMAND, 10-Vikash DHORASOO (4-Stéphane PICHOT 86'), 11-Sergei Bogdanovitch SEMAK, (14-Rudy HADDAD 66'), 23-Modeste M'BAMI, 24-Christophe LANDRIN (7-Fabrice PANCRATE 49'), 15- Bonaventure KALOU, 25- Jérôme ROTHEN

Arbitri: Eric POULAT

Dani Alves është gati të bëjë një çmenduri për Barcelonën

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
24 Prill 2018 18:44
Ai fitoi gjithçka me katalanasit

Mbrojtësi i djathtë Dani Alves la gjigandët e La Liga në vitin 2016, për t’u bashkuar me Juventusin, por veterani nuk pranoi të përjashtonte një rikthim në “Camp Nou”, pavarësisht nga rrethanat pas largimit të tij. Mbrojtësi brazilian zbuloi, se do ishte i gatshëm të kthehej në Barcelonë që nesër, nëse katalanasit e kontaktojnë atë. Alves u largua nga Barcelona drejt kampionëve të Italisë në 2016, pasi fitoi 23 tituj në “Camp Nou”. Pas një sezoni me “Zonjën e Vjetër”, Alves u bashkua me Paris SG në Ligue 1 në vitin 2017, por 34-vjeçari refuzoi të përjashtojë një rikthim të Barcelonës, pavarësisht se pas largimit ai kritikoi presidentin aktual të katalanasve. "Barcelona është shtëpia ime”,  i tha ai “Globo TV”. "Është e pamundur të them, që nuk do të kthehesha. Unë do të kthehesha nesër nëse Barcelona do të më thërriste", vazhdoi ai.

Alves, i cili ka ndihmuar Paris SG të fitojë Ligue 1 dhe Coupe de la Ligue këtë sezon, ndërsa kampionët francezë kërkojnë një sukses të trefishtë brenda vendit, shtoi: "Nëse do të thosha, se kur u largova isha i lumtur atëherë unë do të gënjeja. Unë u largova, sepse mendoj se kam luftuar shumë për të krijuar një histori të shkëlqyer në Barcelonë. Kam lënë 23 tituj në tetë vjet. Unë përfundova duke u dhënë atyre rezultate më të mëdha dhe pastaj atë e përfunduan pa respektuar historinë time. Ata donin që të kisha një lamtumirë dhe u thashë atyre jo, sepse unë e konsideroj atë vend shtëpinë time të përjetshme dhe kur një vend konsiderohet shtëpia jote, nuk duhet të thuash lamtumirë. Çfarë kuptimi ka lamtumira nëse do të kthehesh?", deklaroi Alves. Sinjalet e 34-vjeçarit ishin të qarta, tani u takon drejtuesve të Barcelonës të bëjnë lëvizjen e radhës, nëse vërtet e vlerësojnë Alves për kontributin që ai ka dhënë gjatë tetë viteve. /EDS/

Neymar do të rikthehet në La Liga! Besojeni: e thotë Rivaldo!

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
23 Prill 2018 16:36
Ai e ka ndarë mendjen

Legjenda braziliane Rivaldo është i qartë: Neymar duhet të shkojë në Real Madrid. Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe ylli i kombëtares braziliane në vitin 2002, beson se Neymar gaboi me zgjedhjen e tij, kur nënshkroi me Paris Saint-Germain dhe thotë, se ai duhet të shkojë në një nga katër ligat kryesore: Spanjë, Angli, Itali ose Gjermani për të qenë në gjendje të arrijë potencialin e tij të plotë dhe të marrë trofetë që meriton. Duke folur me programin “Espetacular Esporacular” në televizionin brazilian “Globo”, Rivaldo tha: "Unë i kam thënë Neymar, se ai mund të jetë lojtari më i mirë në botë, por mendoj se nëse ai qëndron në Paris SG, ai kurrë nuk do ta arrijë të fitojë atë trofe".

"Nëse shikoni Anglinë, Spanjën, Italinë, Gjermaninë... është ndryshe. Unë jam duke folur për futbollin, për konkurrencën. Neymar nuk do të kthehet në Barcelonë. Ishte një situatë shumë e vështirë për të dhe sipas informacionit që kam nga njerëzit e ngushtë dhe gjithçka që kam dëgjuar kohët e fundit, mendoj se është shumë e mundshme që Neymar të shkojë në Real Madrid dhe atje unë mendoj, se ai mund të jetë lojtari më i mirë në botë", zbuloi 46-vjeçari që ka fituar “Topin e Artë”. Aktualisht Neymar është duke u rikuperuar nga një dëmtim i rëndë që pësoi në kampionat dhe rrezikon pjesmarrjen në Botëror. Gjithsesi sulmuesi brazilian deklaroi pak ditë më parë se gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe ai do të jetë gati për kombëtaren një muaj përpara se të fillojë Kampionati Botëror në Rusi. 26-vjeçari është lidhur shpesh me një kalim në “Santiago Bernabeu” dhe sikur të mos mjaftonin këto spekulime tani flet edhe Rivaldo, i cili është i sigurt se Neymar do të transferohet tek Real Madridi, ndonëse më herët ka veshur fanellën e Barcelonës, ku fitoi gjithçka në aspektin ekipor. /EDS/

Polemikat për Neymar, a ka një klauzolë për t'u larguar nga PSG apo jo?

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
20 Prill 2018 20:38
Çështja e nxehtë

Neymar është aktualisht pjesë e PSG dhe njihet si investimi më i madh në botën e futbollit, pasi për të u shpenzuan 222 milionë euro që të kalonte nga Barcelona te gjigantët francez. Por, sipas “El Pais”, me anë të një artikulli të botuar ditën e sotme është thënë se ai mund të largohet nga francezët e PSG pasi në kontratë është përfshirë dhe klauzola që ai të largohet, pra për 300 milionë euro ai mund të dalë i lirë.

Pas shkrimit të “El Pais” ka ardhur menjëherë reagimi i sajtit më të madh francez për sportin, “L’Equipe”. Ata janë interesuar në zyrat e Ligës Profesioniste në Francë, ku kanë marrë dhe përgjigjen zyrtare mbi kontratën e lojtarit, pikërisht për klauzolën që është supozuar nga “El Pais”.

Sipas medias më të madhe franceze për sportin, bëhet me dije se nuk ka një klauzolë prej 300 milionë euro në kontratën e brazilianit, që do të thotë se shkrimi i gazetës spanjolle nuk rezulton të jetë i vërtetë.

"LFP e bën shumë të qartë atë që përcakton Neni 202 i rregullores së tij: ‘Klubet nuk mund të lidhin një kontratë që përmban një klauzolë lirimi e cila siguron ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktuale nga njëri ose tjetri nga të kontraktuarit dhe nuk mund të përfundojë as me një klauzolë për zgjidhje të njëanshme’. Prandaj, në zbatim të këtij teksti, kontrata e Neymar nuk mund të përmbajë një klauzolë të tillë. Dhe nuk ka një klauzolë të tillë në kontratën e lojtarit të certifikuar nga Komiteti Ligjor i LFP-së”, raporton “L’Equipe”.

Me një fjalë, një klauzolë e tillë në Francë është e paligjshme. PSG gjithashtu në mënyrë të vendosur e mohon informacionin e “El Pais” dhe një klauzolë të mundshme të nënshkruar në mënyrë private mes palëve, siç kanë sugjeruar disa burime mediatike. /EDS/

S'mori pjesë në festën e titullit, ish-kampioni i Botës me Francën sulmon Neymar

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
17 Prill 2018 21:57

Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar, është kritikuar ashpër nga ish-sulmuesi i kombëtares Franceze, Christophe Dugarry, për shkak të mungesës në festën e titullit të Ligue 1 të PSG-së. PSG-ja e fitoi titullin në kampionatin francez në mënyrën më të bukur duke shkatërruar Monacon me rezultatin 7-1, ndeshje që u luajt të dielën. Ajo që ra në sy ishte mungesa e yllit Brazilian, i cili nuk mori pjesë në festën e titullit duke vendosur të qëndronte në atdhe për të vazhduar riaftësimin nga dëmtimi që pësoi në kofshë. Ai zgjodhi mënyrën më të keqe për të festuar titullin duke postuar një fotografi gjatë një loje pokeri midis miqve të tij, duke sjellë zemërimin e Dugarry-s.


“Si ka mundësi që Neymar preferoi të mos ishte me shokët e ekipit? Ata i kanë dhënë atij rolin e liderit dhe ai nuk merr mundimin ta ndajë fitoren me ta? Si është e mundur që PSG-ja e ka pranuar një sjellje të tillë? Pyes veten a do ketë moral t’i shikojë shokët në sy pasi është sjellë në këtë mënyrë”, - deklaroi Dugarry për RMC Sport. “Ai po e pështyn aty ku ka ngrënë dhe është një mungesë respekti për klubin. Mendoj se është veprim skandaloz. Sikur të luante për Barcelonën, do të rikthej pa problem. Sikur të isha akoma tek PSG, do të zemërohesha tej mase”, - shtoi ai.

Dugarry nuk pranoi të ndalet me kaq dhe ish-sulmuesi beson se ky është shembulli tipik se pse ekipi parizien po vazhdon të dështojë në Evropë. “Unë nuk mund t'i duroj dot ata lojtarë që shqetësohen vetëm për veten, sepse është ekipi që të mundëson të fitosh ndeshje apo trofe. Nuk janë lojtarët individualë ... dhe ka njerëz që ende mendojnë se PSG mund të fitojë Champions League me sjellje të tilla!" /EDS/