Presidenti i Bayernit, Hoeness: Boateng duhet të largohet

27 Maj 2019

Bayern Munichu ia ka bërë me dije Jerome Boatengut se mund të largohet nga skuadra, duke vënë në alarm shumë skuadra të mëdha.

Mbrojtësi qendror ka dështuar në sezonin që lamë pas të ambientohet nën urdhrat e Niko Kovacit dhe i ka nervozuar drejtuesit e klubit kur në verën e kaluar tentoi të transferohej te Paris Saint-Germaini.

Manchester Unitedi, Arsenali, PSG dhe Interi, janë skuadrat që kanë shfaqur interesim për transferimin e Boatengut nga kampioni gjerman.

Uli Hoeness (Foto: Alexandra Beier/Getty Images/Guliver)

Presidenti i bavarezëve, Uli Hoeness, ia ka bërë me dije mbrojtësit gjerman se nuk është në planet e tyre, pasi koha e tij në Allianz Arena ka përfunduar.

“Do t’i rekomandoja atij si një shok që të largohet nga klubi. Atij i duhet një sfidë e re. Së fundmi është parë i shpërqendruar, ka nevojë për një klub të ri”, ka thënë Hoeness për Sky Sports Germany.

Lexo po ashtu: Interi interesohet për Boatengun

Boateng ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2021, ndërsa klubi kërkon rreth 40 milionë euro nga shitja e tij. /Telegrafi/

www.telegrafi.com