Presidenti i Superiores kalon natën në polici

Presidenti i Superiores kalon natën në polici

Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, nuk ka kaluar një natë të qetë pas humbjes që skuadra e tij ka marrë ndaj Skënderbeut në transfertë. Ai ka pasur një debat të ashpër me delegatin e takimit dhe e ka akuzuar atë se ka një skenar për rrëzimin e ekipit të tij nga Kategoria Superiore. Por, përveç kësaj, në pushimin e ndeshjes, një prej anëtarëve të stafit të Kamzës, ka pasur një konflikt verbal me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takajn. Kjo bëri që ai të mos e ndiqte pjesën e dytë të takimit në tribunën VIP si zakonisht, por të shkonte në dhomën e tij në stadium.

Megjithatë, nuk ka mbaruar me kaq, pasi për kërcënimet që ka pasur në drejtim të Takajt është bërë edhe një denoncim në polici pas ndeshjes. Kjo ka sjellë edhe ndalimin e presidentit të Kamzës në rrugën e kthimit. Në momentin kur ai ndodhej në Elbasan është ndalur nga forca të shumta policie dhe së bashku me miqtë dhe familjarët që e shoqëronin. Ai e ka kaluar natën në policinë e Elbasanit dhe në mëngjes është lënë i lirë. Gjatë qëndrimit në polici, të ndaluarve u janë marrë edhe deponimet për gjithçka ka ndodhur. Ndërsa, vetë presidenti kamzali ka pohuar faktin se ishte i ndaluar nga forcat rendit.

Kamza është një prej skuadrave që në dy fazat e para të kampionatit ka bërë një paraqitje të mirë, por më pas rezultatet kanë ardhur në rënie  çka solli edhe shkarkimin e ish-trajnerit Ndreu. Për momentin kryeqytetasit janë një pikë larg zonës së ftohtë. Klubi i është drejtuar me një letër FSHF-së, ku i ka kërkuar drejtësi në ndeshjet që od të luajë deri në fund. Gara për mbijetesë është bërë mjaft e ashpër, pasi Teuta dhe Vllaznia janë rivalët e kamzalinjve dhe sipas Qarrit ekipi i tij penalizohet edhe nga arbitrat pasi ka emër të vogël në futbollin shqiptar. /EDS/