Profesor EDS-ja | Notat e javës, skena për Kukësin e Teutën

Profesor EDS-ja | Notat e javës, skena për Kukësin e Teutën

U mbyll edhe java e 29-të e Kategorisë Superiore, që prodhoi rezultate interesante, gola mjaft të bukur dhe emocione. Sigurisht për të fituar dikush do të humbasë një tjetër dhe nuk mund të mos ketë të zhgënjyer në një garë. Por si u paraqiten skuadrat këtë javë, a bënë maksimumin dhe a duhet të bënin më shumë. Profesori ynë i ka bërë një vlerësim ekipeve për atë që dhuruan në fushë…

KUKËSI – NOTA 10
Kampionët në fuqi e bënë Partizanin të duket shumë i vogël. Titujt dhe emri sot nuk kanë më vlerë. Në qytetin verilindor nuk e kishin menduar se do të vinte dita që t’i shënonin katër gola Partizanin dhe Tiranës. Këtyre të fundit ia shënonin në Kupë në vitin e debutimit në Superiore, kurse me të kuqtë triumfi është i freskët. Tre gola të Gurit, një nga Dzaria. Kukësi i Pacult nuk po shkëlqente dhe po merrte vetëm fitore, kurse të shtunën dhuruan spektakël. Dy minuset e vetme: numri i tifozëve, që duhet të jetë më i lartë, si dhe çmimi i biletave për miqtë. Gjithsesi ata të fushës meritojnë notën maksimale.

TEUTA – NOTA 10
Një finale luhet për t’u fituar dhe kur triumfon në fund fjalët e mira vijnë vetë. Teuta ia doli dhe nuk ishte e lehtë me një rival të drejtpërdrejtë si Vllaznia. Të luash në shtëpi është bërë e vështirë, presioni është i madh, jo sepse stadiumet tona janë plot dhe tifozët të kërkojnë me çdo kusht fitoren, por sepse nëse nuk i marrin aty pikët e plota, ku do i marrin. Gjithçka u zgjidh në 45 minuta dhe më pas Teuta pati luksin edhe të administronte ndeshjen. Ishte maksimumi që mund të bënin.

LUFTËTARI – NOTA 7
Janë ai ekipi i zakonshëm në shtëpi. Nuk është se bënë ndonjë mrekulli me Laçin, por fituan. Iu anulua një gol në fillim dhe më pas iu dha një penallti kur Shkurtaj ishte në pozicion jashtë loje. Bregu realizoi një gol model pas një asisti të Abazajt. Por ndeshja ishte e vështirë, pasi Laçi ashtu si ata kërkon kupat e Europës. Triumfi i bluzinjve mori vlera edhe më shumë, pasi i parakaluan bardhezinjtë në renditje. Një lojë deri diku e barabartë, por tre pikët janë ato që kanë më shumë rëndësi.

SKËNDERBEU – NOTA 7
Korçarët kanë cilësi dhe jo më kot renditen të parët të shkëputur. Thonë se fati është me më të mirin: goli i Muzakës u erdhi nga qielli. Shënojnë dy gola në pjesën e parë, realizojnë edhe të tretin dhe në 30 minutat e fundit menduan edhe për ndeshjen e Kupës me Skënderbeun. Lëvizje nga pankina dhe deri në fund e administruan lojën, duke marrë tre pikë me vlerë. Kishte edhe presion për këtë, pasi ishte detyrim fitorja, në mënyrë që të shkohet sa më parë te titulli kampion. Pa shkëlqim.

FLAMURTARI – NOTA 7
Lushnja rezistoi sa mundi, por Flamurtari mori atë për të cilën kishte shkuar në “Roza Haxhiu”. Nedeljkovic dhe Useini me golat e tyre i dhanë tre pikët skuadrës kuqezi, ndërkohë që nëse nuk merreshin pikët e plota, do të ishte një katastrofë për skuadrën e Duros. Mungesat ishin të shumta, ndonjë edhe ishte lënë pushim që të rikuperonte energjitë. Më shumë se tre pikë në një ndeshje nuk merret dhe detyra e Flamurtarit u krye me sukses.

KAMZA – NOTA 6
Kamza po kalon një moment të vështirë, por nëse shikon përballjen me Skënderbeun, korçarët pak më shumë se ata kanë bërë. Goli i parë u erdhi nga era, i dyti me penallti. Reagimi ishte i menjëhershëm, dy gola për dhjetë minuta. Në pjesën e parë luajtën si të barabartë me korçarët dhe kjo iu shpërblye. Por për të fituar duhet edhe pak cinizëm dhe përqendrim. Goli i tretë mund të shmangej, ndërsa më pas ishte e vështirë. Era pengonte lodhën dhe energjitë shteruan. Nota katër nuk mund të jetë për ta: meritojnë më shumë, edhe pse humbën. Golat model, nota 6.

LAÇI – NOTA 5
Laçi po kalon një moment të vështirë, teksa pësoi humbjen e tretë radhazi në Gjirokastër. Mund të kenë rezervat e tyre për gjykimin, por sërish nuk është se bënë diçka më shumë se vendasit. I përpoqën dhe mund të merrnin një pikë, por në fund dolën pa pikë. Një notë mbi katër pikërisht për lojën dhe përpjekjet e skuadrës së drejtuar nga Gentian Mezani, por me një rival direkt dhe në transfertë barazimi do kishte qenë perfekti, duke parë edhe humbjen e Partizanit në Kukës.

LUSHNJA – PA NOTË
Humbje e radhës, dy gola të pësuar. E njëjta Lushnje nga fillimi në fund, bën aq sa ka mundësi dhe në fund humbet. Çfarë duhet thënë për ta, kur e kanë mendjen te Kategoria e Parë?

PARTIZANI – NOTA 4
Partizanin sa duket e morën në sysh. Të gjitha ato fjalë të mira për mbrojtjen ranë poshtë. Disa ndeshje pa pësuar dhe pësojnë katër gola në një ndeshje. Shumë, edhe pse risku është i madh kur pëson të parin dhe ekipi humbet ekuilibrin. Tek i pari kishim të bënim me një faull, por më pas u pësuan dy të tjerë dhe ndoshta u kursye edhe një penallti. Mënyra se si pësohet lë shumë për të dëshiruar dhe Dalipi do të ketë shumë punë. Tani i duhet të ngrejë edhe zërin e të bëhet “i keq”. Mbetës!

VLLAZNIA – NOTA 4
Nisur nga kushtet në të cilat ndodhen, Vllaznia duhet të bënte më shumë në Durrës. Pas ndeshjes kishte vetëm zhgënjim. Golat e pësuar në pjesën e parë i dhanë një goditje të rëndë kuqebluve, që ishin në një ditë “jo”. E pranoi edhe trajneri Ernest Gjoka. Loja jo e mirë solli humbjen dhe tanimë edhe presioni është më i madh për ndeshjen me Luftëtarin. Faturë e lartë dhe notë e …ulët. Katër.