Prokuroria në Spanjë kërkon burg dhe gjobë të majme për Rosell

Prokurorët spanjollë kanë kërkuar që ish presidenti i klubit të futbollit të Barcelonës, Sandro Rosell, të dënohet me 11 vite burg dhe 59 milionë euro gjobë, pasi akuzohet për pastrim parash në lidhje me të drejtat televizive dhe sponsorizimet në Brazil.

Hetuesit në Gjykatën Kombëtare në Madrid, akuzojnë Rosell-in, bashkëshorten e tij dhe 4 persona të tjerë për këto vepra penale dhe për një dëm ndaj shtetit spanjoll të shkon deri në 20 milionë euro në një skemë pastrimi parash që nga viti 2006. Prokuroria nuk është ndalur me kaq, por kërkon gjithashtu edhe 7 vite urgim për bashkëshorten Marta Pineda,  dhe 10 vite burgim më avokatin e tij.

Sipas prokurorëve, Rosell ka marrë para në mënyrë të jashtëligjshme nga ish kreu i Federatës së Futbollit të Brazilit, Ricardo Teixeira. Ky i fundit po hetohet në Brazil për pastrim parash dhe nga autoritetet amerikane, ndërsa ka pasur rolin e zëvendëspresidentit të FIFA-s. Ish kreu i Barçës ka jetuar në Brazil, ku ka pasur biznese të ndryshme.

Por ndaj Rosell ka pasur një akuzë tjetër të fortë. Kjo për rastin e Eric Abidal. Sipas disa publikimeve në “El Confidencial” mësohet se president i klubit asokohe, Sandro Rosell, ka blerë një veshkë në tregun e zi për të mundësuar transplantin për të cilin kishte nevojë francezi.

Versioni zyrtar në atë kohë bënte fjalë për një dhuratë që i ishte bërë Abidalit nga një kushëri, por përgjimet e realizuara nga Guardia Civil dhe policia kombëtare spanjolle flasin për një histori tjetër.

Abidal fillimisht u operua për të hequr tumorin dhe madje ishte rikthyer në fushë, por më vonë u detyrua të ndërpriste sërish karrierën pasi mësoi se duhet t’i nënshtrohej transplantit, që siç duket nga përgjimet, është bërë i mundur falë ndërhyrjes së Rossell. Një bashkëbisedues i Rossel i kujton se Abidalit iu ble një veshkë e re që më pas u kamuflua si donacion nga një kushëri i tij.

Gjithashtu Rossell ofendon ish-mbrojtësin francez, i cili është treguar kritik me administrimin e klubit nga ana e tij. “Ai është një bir k…. të cilit i kemi shpëtuar jetën”, ndërsa bashkëbiseduesi i Rosell i tregon se një ditë është përballur vetë me Abidal, duke i thënë: “Po flet me mua tani sepse ke një veshkë të re, e more vesh?”.

Përgjimet janë bërë në kuadër të një hetimi që më vonë dërgoi prapa hekurave ish-presidentin e Barcelonës për pagesa të paligjshme ndaj Federatës Braziliane të futbollit. Rosell rrezikon edhe një akuzë të re, atë të trafikimit të organeve njerëzore, që shkon përtej futbollit. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.