PSG gjithnjë e më pranë Milinkovic-Savic

Rikthehet në qendër të vëmendjes e ardhmja e Sergej Milinkovic-Savic. Ylli i Lazios, i cili ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve mund të transferohet në Francë. E cili klub përveçse PSG-së mund t’i lejojë vetes që të shpenzojë shifra të çmendura për të pasur një xhevahir si serbi?

Sipas sajtit francez “le10sport.com”, drejtori sportiv i klubit parisien, Antero Henrique, takoi në Paris ndërmjetësin Pini Zahavi dhe Zoran Vekic, një nga dy menaxherët e futbollistit (tjetri është Mateja Kezman).

Presidenti i bardhekaltërve, Claudio Lotito nuk e lë të largohet mesfushorin nga skuadra për më pak se 100 milionë euro. Oreksi i tij shkon deri në 150 milionë euro, por sipas medieve franceze, parisienët mund t’ia marrin atij për më pak. Të premten është afati i fundit i merkatos por PSG-ja i ka të gjitha mundësitë që të paguajë shifrën e kërkuar nga bardhekaltrit. E vërtetë, që klubi lacial do të përfitonte një shumë të majme, por nga ana tjetër do të humbte një futbollist të talentuar.

Parisienët përfitojnë edhe nga fakti që shitën lojtarin Gonçalo Guedes te Valencia për shumën e 40 milionë eurove.

Ndërkohë që sot pritej që UEFA të jepte një përgjigje në lidhje me aplikimin ose jo të sanksioneve ndaj PSG-së, pasi klubi parisien akuzohet se ka thyer rregullat e Fair Play-t Financiar. Por institucioni numër 1 i futbollit evropian njoftoi sot se vendimi do të merret në përfundim të merkatos. Kështu, UEFA i jep një përgjigje të gjithë zërave që thonë se do të ndikohej nga Real Madridi, për të ndëshkuar francezët, e të parët të kishin mundësi që të blinin Kyalin Mbappe-në. Ylli francez aq i kërkuar nga “galaktikët” do të mund të kalonte në Madrid, pasi PSG-së do t’i kërkohej që të balanconte sadopak hyrjet dhe daljet në bilance. /EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.