PSG përballet me përjashtimin nga Champions League: Çfarë do të thotë për Juve, Man Utd dhe City?

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
16 Prill 2018 16:57

Paris Saint-Germain fitoi edhe titullin e Ligue 1 mbrëmë duke mposhtur keqazi Monaco-n e vendit të dytë 7-1, në “Parc des Princes” duke gëzuar sadopak presidentin Al-Khelaifi. Dëshira e drejtuesve ishte suksesi në Champions League, por edhe këtë sezon francezët dështuan pavarësisht investimeve të mëdha, por dardha e ka bishtin mbrapa, pasi tani klubi po përpiqet të veprojë në përputhje me rregulloren financiare të UEFA-s për Fair Play Financial pas shifrave të frikshme të shpenzuara në merkaton për afrimin e Neymar dhe Kylian Mbappé. Në të vërtetë, Paris SG mund të detyrohet të shesë disa lojtarë përpara 30 qershorit, në mënyrë që t’i paraqesë trupit drejtues të futbollit evropian një buxhet më të balancuar, ose ata mund të përballen me një ndëshkim shumë të ashpër, aq sa të përjashtohen nga Champions League për edicionin e ardhshëm. 

Marquinhos, Adrien Rabiot, Thomas Meunier, Edinson Cavani dhe Julian Draxler janë disa nga lojtarët që mund të sakrifikohen nga drejtuesit në mënyrë që t’i shpëtojnë përjashtimit nga kompeticionet evropiane. Të gjithë lojtarët e sipërpërmendur kanë qenë të lidhur me disa nga klubet më të rëndësishme në Evropë gjatë dy merkatove të fundit, pasi drejtori sportiv Antero Henrique kërkon mënyra të ndryshme për të rritur një sasi të konsiderueshme parash pa dobësuar ndjeshëm skuadrën. Ditë të vështira qëndrojnë përpara për “Les Parisiens”. Nëse kërkesat e UEFA-s do të jenë të mëdha, ndoshta drejtuesit do të sakrifikojnë edhe yllin francez Kylian Mbappé, i cili ka tërhequr interesin e Manchester City-t dhe Real Madridit. Të dielën mediat në Angli shkruanin, se Pep Guardiola është gati të bëjë një çmenduri financiare vetëm për të siguruar shërbimet e yllit të Francës. Mbappé vazhdon me performancat e tij të shkëlqyera dhe nëse Paris SG nuk arrin të mbledhë aq para sa do të duhen për t’i shpëtuar penalzimit nga UEFA do të vendosin ta largojnë atë. /EDS/

Heynckes i habitur: Nuk kam parë një ndeshje të tillë!!!

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 23:31

Gjashtë fitore radhazi për Real Madridin kundër Bayern Munchen, ndërsa Jupp Heynckes humbet për herë të parë në pesë vjet në Campions League. Një humbje që komplikon shumë shanset e kampionëve të Gjermanisë për të shkuar në finalen e Campions. Tani “Los Blancos” janë shumë afër suksesit të trefishtë në këtë veprimtari, ndonëse e dinë se janë edhe 90’ minuta për t’u luajtur. Në përfundim të takimit, bavarezët u shfaqën të zhgënjyer, ndërsa besojnsë se mund ta përmbysin disavantazhin në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu”.

“Ia dhuruam të dy golat Real Madridit. Nuk ishim efikas përpara portës, krijuam vërtetë shumë raste, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Kjo na penalizoi. Pika e kthesës për ta ishte goli i barazimit, nuk kam parë ndonjëherë një gjysmëfinale të Champions të kishte kaq shumë raste të pashfrytëzuara, aq më shumë ndaj Real Madridit. Gjithashtu dëmtimet bën të vetën”, tha Jupp Heynckes.

Thomas Müller, kapiteni i Bayern thotë se kualifikimi është i hapur, ndërsa e pranoi se u treguan të dobët. "Ne ishim shumë naiv... Ne patëm shumë shanse dhe shkuam në 1-1, në pjesën e dytë ata kalun shumë shpejt në avantazh. Sonte rezultati mund të ishte shumë më ndryshe”. “Ne e pamë vitin e kaluar se gjithçka është e mundur në Madrid, ku ishim në gjendje të ktheheshim nga një defiçit 1-2. Ne patëm disa shanse shumë të mira, por ndoshta rëndësia e ndeshjes luajti një rol... gjithsesi duhet të kishim marrë një rezultat më të mirë sonte", shtoi gjermani.

"Ishte e dhimbshme që Robben u largua aq herët: ai është një lojtar që i tërheq kundërshtarët rreth vetes dhe kjo krijon hapësirë për mua, kjo nuk nënkupton se Thomas nuk ka bërë një punë të mirë - ai krijon boshllëqe me lëvizjen e tij", tha autori i golit të vetëm të Bayern, Kimmich. /EDS/

Lajm jo i mirë për tifozët, Rusia me sanksione të forta për Botërorin 2018

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 23:06

Në një përpjekje për të parandaluar dhunën e tifozëve gjatë Botërorit, zyrtarët rusë kanë marrë vendimin për të ndaluar pijet alkoolike në Moskë gjatë zhvillimit të këtij kompeticioni. Në fakt alkooli do të lejohet të shitet nëpër stadiume apo zonat e tifozëve, por Bashkia e Moskës do të kufizojë shitjen e pijeve alkoolike jashtë këtyre zonave në kryeqytet, në ditën e ndeshjeve dhe një ditë përpara.


Kohët e fundit tifozët rusë kanë krijuar rrëmuja kudo ku kanë udhëtuar, kur gjatë zhvillimit të Euro 2016 në Francë u konfliktuan me përkrahësit anglezë, që u pasua nga në një numër i madh arrestimesh. Në formë hakmarrjeje huliganët nga vendi pritës kanë kërcënuar me vdekje tifozët anglezët, nëse vendosin të udhëtojnë në Rusi.


Zyrtari i Bashkisë së Moskës, Kirill Malyshkin deklaroi: "Organet ekzekutive kanë përcaktuar tashmë vendet ku do të ndalohet shitja dhe konsumimi i alkoolit, në prag të një ndeshje futbolli të Kupës së Botës. Pubet, restorantet, supermarkete dhe të gjitha pikat e tjera të shitjeve, do të preken nga ky vendim dhe janë të detyruara të zbatojnë këtë vendim, sepse në të kundërtën do të kenë pasoja të rënda”.

Në dy stadiumet e Moskës do të zhvillohen gjithsej 12 ndeshje gjatë gjithë turneun, duke përfshirë finalen dhe gjysmëfinalen. Por për habinë e të gjithëve, tifozët do lejohen të hyjnë në stadium me kanabis, kokainë dhe madje heroine, por jo me alkool. /EDS/

Ky do ishte formacioni super i Basel nëse nuk do i shiste yjet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 23:01

Të gjithë janë habitur me formën e fantastike të Mohamed Salah gjatë këtij sezoni. Por janë të paktë ata që e dinë faktin që egjiptiani karrierën në Evropë e ka nisur në Zvicër te Basel. Pas një performance fantastike në Zvicër, ai mahniti drejtuesit e Chelsea-t që nuk humbën kohë dhe e transferuan në Londër. Por aventura në Angli nuk ishte ajo që priste lojtari, për shkak se Mourinho nuk besonte tek ai. Në merkaton e janarit, egjiptiani u përfshi në shkëmbimin, që pa Cuadradon të transferohej në Londër, dhe Salah në Fierenze. Vetëm pas një viti u transferua te Roma, ekip që e shiti tek Liverpool për shifrën 40 milion euro, ku po shkruan emrin në historinë e këtij klubi. Por Salah nuk është i vetmi lojtar i madh, që është formuar tek Basel. Ekipi zvicerian do të kishte një ekip pretendent për të fituar Champions League, po të mos t’i shiste këta lojtarë gjatë kësaj dekade të fundit.


Porta do të mbrohej nga Yann Sommer, që aktualisht luan tek Borussia Moenchengladbach.


Mbrojtja do të përbëhej nga Marcelo Diaz (Pumas), Fabian Schar (Deportivo de la Coruna), dhe David Abraham, aktualisht tek Eintracht Frankfurt.


Boshti i skuadrës do të ishte mesfusha, ku do të përbëhej nga lojtarë kalibri si Ivan Rakitic (Barcelona), dhe dy lojtarët që aktivizohen tek Arsenali, Granit Xhaka dhe Mohamed Elneny, dhe do të kompletohej nga Gokhan Inler, i cili luan në Basaksehir i transferuar nga Napoli.


Sulmi, përveç Salahut do të përbëhej nga Xherdan Shaqiri, ish-futbollist i Bayern Munich dhe Interit që për momentin aktivizohet me Stoke City-n si dhe Felipe Caicedo, i cili është tek Lazio, me një të kaluar tek ekipe si Manchester City, Sporting, Malaga, Levant, Lokomotiv Moska dhe Espanyol.


Këto janë sakrificat që duhet të bëjë një ekip i vogël si Basel, që me të ardhura modeste ka zbuluar lojtarë të shkëlqyer. /EDS/

VIDEO | Tersi s'i ndahet Bayern, Marcelo e Asensio i falin përmbysjen Realit

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
25 Prill 2018 22:38
Bavarezët luajnë mirë, por humbasin

Real Madridi shokon Bayern Munchen në “Allianz Arena” duke fituar me përmbysje falë golave të Marcelo dhe Asensio, që zhvlerësuan golin e Kimmich. Kampionët e Gjermanisë ishin ata që luajtën më mirë gjatë gjithë ndeshjes, por në fund kanë rëndësi golat që i shënuan miqtë nga Madridi, dhe tani janë me një këmbë në finale. Duhet theksuar fakti se Bayern humbi dy lojtarë tepër të rëndësishëm për shkak dëmtimi, në fillim Robben (5’) dhe Boateng (34’).

Robben shqetëson kampionët e Gjermanisë, pasi dëmtohet që në minutën e 5’ dhe largohet nga fusha për t’ia lënë vendin mesfushorit Alcantara. Pavarësisht dëshirës, goditja e parë e rrezikshme vjen në minutën e 19’ nga mbrojtësi Rafinha, i cili provon nga distanca, por Navas pret pa problem. Në minutën e 23’ Reali jep sinjalin e parë me anë të mbrojtësit Carvajal, por gjuajtja e tij është ballore dhe kontrollohet mirë nga Ulreich. Bayern zhbllokon rezultatin në minutën e 28’ në “Allianz Arena”, pas një kundërsulmi të shpejtë. Kimmich shënon një gol të mrekullueshëm, duke befasuar portierin e “Los Blancos”, nga një pozicion i vështirë. Pasi u mbushën 30’ minuta lojë Heynckes merr edhe goditjen e dytë, pasi mbrojtësi Boateng pëson një tërheqje dhe i duhet të largohet nga fusha i dëmtuar. Në vend të tij aktivizohet Sule. Ribéry ka shansin më të mirë për të mbyllur ndeshjen, por i vetëm përballë portierit nuk arrin të gjuajë, duke humbur një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat (33’). Bayern luan më mirë, por është Reali që shënon. Një minutë nga fundi i kohës së rregullt Marcelo shënoi një gol mjaft të bukur në rastin e parë të rrezikshëm duke i dhënë një goditje të fortë Bayern.

Edhe në këtë pjesë sinjalin e parë e jep Bayern. Muller ka një mundësi mjaft të mirë për të kaluar Bayern në avantazh pas krosit nga e djathta nga Ribery, por Ramos është më i shpejtë dhe largon menjëherë rrezikun (51’).  Në minutën e 57’ Rafinha bëri një gabim të pafalshëm duke humbur një top në qendër të mesfushës, të cilin e rikuperon Asensio dhe pason menjëherë për Lucas. Ky i fundit ia kthen sërish dhe i vetëm me portierin, sulmuesi i ri spanjoll nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë duke shokuar gjermanët. Një minutë më vonë Bayern i afrohet golit me Ribery, i cili gjuan fuqishëm nga brenda zonës, por Navas largon rrezikun në këndore. Ribery provon sërish, por francezi është i pafat në minutën e 69’, pasi topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë të Navas. 2’ minuta më vonë Ronaldo shënon pas një kundërsulmi të shpejtë, por gjyqtari e anuloi golin për prekje të topit me dorë nga portugezi. Në të 76’ Ulreich mban në lojë vendasit duke pritur një gol të sigurt, pas predhës nga Benzema. Në minutat e fundit nuk mungojnë rastet e rrezikshme, me Lewandowski-n që humbet një rast flagrant (88’), por portierët janë vendimtarë dhe ndeshja mbyllet me fitoren e Realit që prek finalen e Champions. /EDS/

Bayern Munich – Real Madrid 1-2

Shënues: Kimmich 28’/ Marcelo 44’, Asensio 57’

Bayern Munich: Ulreich, Hummels, Ribéry, Javi Martínez, Lewandowski, Robben, James Rodríguez, Rafinha, Boateng, Müller, Kimmich. Trajner: Jupp Heynckes

Real Madrid: Navas, Carvajal, Ramos, Varane, Ronaldo, Kroos, Modrić, Marcelo, Casemiro, Lucas Vázquez, Isco. Trajner: Zinedine Zidane

Gjyqtarë: B.Kuipers, S. Van Roekel, E. Zeinstra (Holandë)