PSG përfshihet në garë për Dybalan

05 Gusht 2019

Edhe pse është raportuar ta ketë refuzuar Manchester Unitedin, Paulo Dybala mbetet në listën e shitjeve të Juventusit dhe kampioni italian mund t’i nisë bisedimet me Paris Saint-Germainin ose Interin.

Burime të ndryshme nga Anglia dhe Italia kanë raportuar se marrëveshja për shkëmbimin e argjentinasit me Romelu Lukakun ka dështuar.

Sulmuesi i Juves e ka bërë të qartë se nuk e dëshiron kalimin në Old Trafford, por kjo nuk do të thotë se ai do të qëndrojë te Bianconerët.

Lexo po ashtu: Të gjitha lajmet nga Paulo Dybala

Dybala mund të transferohet te ndonjë klub që luan në Ligën e Kampionëve ose ndonjë klub tjetër që i përshtatet më mirë stilit të tij të lojës.

Corriere dello Sport raporton se PSG është përfshirë në garë për shërbimet e 25-vjeçarit, i cili admirohet nga drejtori Leonardo.

Nga ana tjetër, në garë vazhdon të mbetet edhe Interi, duke qenë se Mauro Icardi refuzon kalimin te Napoli apo Roma dhe e do vetëm Juven. Prandaj, nuk përjashtohet një marrëveshje shkëmbimi. /Telegrafi/

www.telegrafi.com