PSG përgatit një ofertë 100 milionëshe për yllin e Tottenham

Tottenham mund të pendohet shumë që nuk bëri asnjë blerje në këtë merkato verore. Në Angli shkruajnë se “Spurs” mund të pësojnë një goditje të rëndë, pasi ylli i skuadrës Christian Eriksen mund të largohet.

PSG-ja është gati që të bëjë një ofertë prej 100 milionë sterlinash për të blerë futbollistin. Mesfushori ende nuk ka firmosur rinovimin e kontratës me londinezët, e kjo shton shpresat te parisienët për realizimin kalimit.

Por nuk është vetëm PSG-ja që e pëlqen organizatorin e Tottenham-it. Edhe Real Madridi e pëlqen futbollistin dhe nuk përjashtohet mundësia që deri në përfundim të merkatos verore, të bëjë një ofertë të çmendur për ta blerë atë.

Humbja e 26-vjeçarit do t’i kushtonte shumë trajnerit Mauricio Pocchetino, i cili jo vetëm do të duhet të bënte pa lojtarin kryesor të skuadrës, por nuk e ka as mundësinë që ta zëvendësojë atë, të paktën deri në janar.

Por Eriksen ka edhe 2 vite në kontratën e tij dhe kjo sjell qetësi tek anglezët. Gjithsesi, frika është që palët të përplasen dhe hezitimi për të rinovuar bën që danezi ta ketë menduar largimin. Ai po vepron ndryshe nga yjet e tjerë Harry Kane, Dele Alli apo Davinson Sanchez që kanë hedhur në kontratë firmat e tyre për të rinovuar.

Duhet thënë se pavarësisht presionit nga UEFA për të respektuar Fair Play-n Financiar, sërish PSG-ja vazhdon që të jetë e prirur të bëjë shpenzime të çmendura, duke mos iu trembur sanksioneve. Kurse Reali mund të ketë një motiv më shumë për ta blerë yllin danez, me Luka Modric që e dëshiron shumë largimin tek Interi dhe me huazimin e Mateo Kovacic-it te Chelsea. /EDS/

*********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.