Qaka zbulon Rumaninë: Nga qentë e rrugës te... Dinamo

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
12 Janar 2018 17:27
Kamer Qaka është në qendër të vëmendjes në Rumasi

Kamer Qaka është në qendër të vëmendjes në Rumani. Mesfushori 22-vjeçar kuqezi i Poli Iasi, në një intervistë të dhënë për “fanatik.ro”, tregon se si u transferua nga Norvegjia në ekipin e tij aktual, por edhe shumë gjëra të tjera interesante.

“Një ditë, një agjent erdhi tek unë dhe më pyeti: ‘Çfarë do të thoshit nëse do ju thosha të vinit në Rumani? Shiko, unë kam një ekip për ju’. I thashë, ‘Sigurisht, pse jo?’. Doja një sfidë të re, të largohesha nga Norvegjia dhe të shihja vende të tjera. Natyrisht, nuk kisha dëgjuar për Poli Iasi, vetëm për Steaua dhe për Cluj. Ku i pashë? Në ndeshjet e grupeve të Champions. Kam parë ndeshjet e tyre dhe më ka pëlqyer futbolli që luanin. Për pjesën tjetër të klubeve nuk kisha dëgjuar. Edhe Dinamon e njoha kur erdha këtu”.

NDRYSHIMI MES KAMPIONATEVE

“Është e qartë, në Norvegji janë të çmenduar pas dueleve fizike. Në Rumani luhet më shumë futboll të thuash. Unë jam lojtar teknik, më pëlqen të kem topin, të pasoj. Besoj e kupton se më pëlqen më shumë këtu”.

Jeta në Rumani

“Më pëlqen shumë. Është bukur, njerëzit janë jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të qetë. Dhe ajo që më pëlqen më shumë ... (qesh),  është vend i lirë! Pa dyshim i lirë! Unë vij nga Norvegjia dhe atje është shumë e shtrenjtë në krahasim me këtu. Mund të dalësh në qytet, të darkosh dhe të kesh më shumë kënaqësi me pak fjalë.

Çfarë nuk i pëlqen

"Unë kam qen në shtëpi dhe i dua shumë kafshët. Këtu kam parë shumë qen në rrugë. Kjo më bën të trishtohem, sa herë shoh qen në rrugë”.

Me paraqitjet e tij Qaka ka lënë përshtypje të mira dhe për këtë thotë: “Po, kështu ndihem. Ekipi më ka ndihmuar shumë, trajneri më ka lënë dorë të lirë në fushë dhe mund të bëj çfarë unë dua dhe besoj në vetvete”.

Gigi Becali, presidenti i FCSB është një prej atyre që e do me ngulm mesfushorin, pasi është impresionuar prej tij. “Kam dëgjuar për interesimin e tyre dhe më është bërë shumë qejfi për këtë. Është një klub i madh dhe kjo më kënaq, kaq mund të them për momentin. Jam i gëzuar që jam te Iasi tani”.

Te FCSB nuk është fushë me lule. Kur i thua Qakës se Gigi Becali i kritikon shumë lojtarët e tij dhe presioni është i madh, ai nuk e ka problem këtë pjesë. “E di, por nuk kam frikë. Mund të përballoj çdo lloj presioni, edhe atë te Steaua-s. Unë nuk e kam problem çfarë të tjerët thonë për mua, shoh punën time në çdo lloj situate.

Intervista vijon. Lojtari i preferuar? Qaka ende nuk i njeh të gjithë: “Një i vogël, nga Craiova, sulmuesi.. Si quhet ai?”, thotë mesfushori. “Baluta? Po ai. Është shumë i shpejtë dhe teknik, Gjithashtu finalizon shumë mirë. Edhe kolegu im, Catalin Stefanescu. Idhulli im është Marco Veratti. Ai ka gjithçka, teknikë, forcë dhe vizion në lojë”. /EDS/

Genoa hedh sytë në Shkodër, merr mesfushorin e talentuar

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 20:53
Është vetëm 17 vjeç

Kristal Abazaj është emri më i freskët që do të lërë Shqipërinë për një kampionat më të mirë në Europë. Por, përpara tij ka pasur emra të tjerë që janë transferuar në Europë dhe që kanë lënë gjurmë.

Por, pas Abazajt është radha e Kevin Haveri-t, të riut shkodran që për momentin është një emër i panjohur në arenën e futbollit në Shqipëri. Haveri ka lindur më 18 shtator të vitit 2001 dhe është rritur në ekipin AAS në Shkodër. Ndërsa prej dy vitesh është pjesë e Shqipërisë U-17.

Haveri do të provohet te klubi i njohur i Genoa-s gjatë ditëve në vijim. Kanë qenë disa menaxherë të ndryshëm që e kanë sugjeruar lojtarin shkodran në futbollin italian. Teksa drejtuesit e Genoa-s kanë qenë më të bindur dhe kanë pranuar që ta shohin në fushë me fanellën e tyre. Prova e tij do të zgjasë disa ditë derisa të marrë përgjigjen përfundimtare. /EDS/

Ekskluzive/ S'ka paqe për mesfushorin e Kombëtares, ndryshon sërish ekip

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 16:19

Nuk po gjen paqe mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe. Shtatshkurtri nuk po kalon një moment të mirë në karrierën e tij, pasi ka gjetur shpëtim te skuadra e falimentuar e Panathinaikos-it. Ai u huazua në janar nga skuadra e PAOK-ut te skuadra tjetër greke, pasi nuk po gjente hapësira te ekipi që e nxori futbollist. Kaçe ka gjetur veten te skuadra e Panathinaikos-it, pasi ka luajtur në 8 ndeshje dhe të gjitha si titullar duke marrë minutat e munguara.

Karriera e tij shkoi për poshtë në momentin që u larguar nga skuadra e PAOK-ut dhe shkoi drejt Viktoria Plzen. Gabim i madh, pasi luajti vetëm 4 ndeshje dhe u largua para përfundimit të kontratës. Largimi me probleme nga PAOK-u dhe rikthimi te klubi grek sigurisht që nuk ishte i mirë. Drejtuesit e klubit dhe trajnerët e anashkaluan dhe shtatshkurtri nuk arriti të kthehej më si protagonist te skuadra e tij. Në fund, shpëtimi erdhi te kalimi me Panathinaikos-in. Në fakt, duket se “oazi” i tij është vetëm 6 muaj, pasi në fund të mbarimit të kontratës do të largohet nga ekipi grek. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije për Eduasportin.com se Kaçe do të braktisë Panathinaikosin duke parë problemet e shumta financiare që ka klubi grek.

Të njëjtat burime saktësojnë se lojtari ka nisur bisedimet me disa klube në Francë. Lojtari ka biseduar me disa klube dhe po pret përgjigje. Dera e tij është e mbyllur dhe nga PAOK-u, pasi ekipi që e nxori si futbollit nuk e do më. Kjo verë do të jetë e nxehtë dhe me plot zhvillime për Kaçrn, pasi nuk do të qëndrojë me Panathinaikosin, nuk e do PAOK-u dhe po mundohet të depërtojë në Francë. Karakteri i tij i vështirë i ka prishur jo pak punë shtatshkurtrit, pasi cilësitë futbollistike nuk vihen në diskutim./EDS

Panucci afron një lojtar të ri në Kombëtare, mesfushori pret ftesën

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 11:56
E zbulon EDS

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, po mendon për alternativat e reja që do të afrojë në skuadër për ndeshjen miqësore kundër Ukrainës. Takim ky që do të zhvillohet më 2 qershor në Zvicvër, një sfidë që i shërben teknikut italian të bëjë autokritikë pas asaj paraqitjeje zhgënjyese me Norvegjinë. Me nordikët skuadra shqiptare u mposht me rezultatin 0-1 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe nuk bëri asgjë në fushën e lojës duke u paraqitur shumë dobët.

Numri një i stolit të Shqipërisë po mendon për lojtarët që do të afrojë në Kombëtare. Ai ka eksperimentuar duke afruar emra të rinj dhe duket se ka gati dhe lëvizjen e radhës. Italiani pritet që t’i dërgojë një ftesë për takimin kundër Zvicër, mesfushorit Fatjon Andonit. Ky i fundit luan me ekipin e Larissas dhe është një titullar stabël i këtij ekipi. Andoni është përfolur prej kohësh, por nuk është grumbulluar. Ndeshja kundër Ukrainës mund të jetë shansi i tij. Burime të besueshme pranë trajnerit Panucci për Eduasportin.com bëjnë me dije se tekniku po monitoron gjendjen e tij dhe me shumë mundësi do e grumbullojë për takimin kundër Ukrainës.

Andoni ka lindur në Greqi dhe nuk ka luajtur me asnjë kombëtare. 26-vjeçari ka një karrierë të pasur në Greqi, pasi ka luajtur me disa ekipe atje. Mesfushori ka vite që është stabilizuar në kampionatin grek dhe luan si titullar në çdo ekip. Momentalisht, lojtari po luan me ekipin e Larissa-s. Ai ka zhvilluar 22 ndeshje këtë sezon dhe të gjitha si titullar. Ekipi grek ndodhet në vendin e 12-të në kampionatin helen të futbollit dhe nuk rrezikon rënien nga Kategoria. Andoni ka parametra fizike shumë të mira, pasi është 190 cm i gjatë. Lojtari nuk shquhet për shënimin e golave, pasi këtë sezon ka arritur të përshëndesë vetëm 1 herë rrjetën. /EDS

Ramadani tregon ''dhëmbët'', Vejle është ekipi i çudirave /Video

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 10:27
Mesfushori nuk ndalet në Danimarkë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, është një ndër lojtarët më të komentuar me origjinë shqiptare. Katapultimi i tij nga skuadra e Partizanit drejt Vejles në ligën e dytë daneze, por dhe kalimi nga Shpresat në formacionin  e Kombëtares A bëjnë që 22-vjeçari të jetë shumë në zë. Kalimi në ligën e dytë daneze u konsiderua i çuditshëm nga ana e shumë personave, por jo nga ai. Ramadani shkoi së bashku me trajnerin Adolfo Sormani për të ngjitur Vejlen në ligën e parë daneze dhe duket se po ja dalin mbanë.

Ekipi i tij dominoi totalisht në gjysmën e parë të sezonit, por i rrëshqiti këmba në vitin 2018. Barazime dhe humbje duke vendosur në dyshim dhe ngjitjen në ligën e parë. Në fakt, Vejle është ekip i çuditshëm, pasi lë pikë me ekipet e vogla dhe në mesin e tabelës dhe kur vjen momenti për të “kafshuar” e bën  me rivalët kryesorë madje dhe në transfertë. Pas fitores kundër Vendsyssel, 1 javë më parë me rezultatin 1-2, skuadra daneze kishte dje një tjetër provë karakteri. Rezultatet e fundit kishin bërë që Vejle të zbriste në vendin e 4-ët dhe luante në transfertë kundër ekipit të Esbjerg-ut që mbante vendin e parë.

Takimi jetik, pasi në rast se nuk arrinte rezultat pozitiv mund të dilte nga gara për titull, ndërsa një fitore e katapultonte në vendin e parë. Fatmirësisht për Ramadanin, skuadra e Vejles fitoi me rezultatin 0-1 duke treguar dhe njëherë se e meriton kalimin në ligën e parë daneze. Ky rezultat i jep goxha shtysë, pasi ekipi i Ramadanit kaloi në vendin e parë me 50 pikë, por nuk është e sigurt asgjë, pasi diferenca është shumë e vogël. Vendi i parë me vendin e katërt ndahen me 2 pikë dhe nuk mund të gabosh. Ylberi qëndroi në fushë për 90 minuta dhe zhvilloi një paraqitje të mira. Festa e ekipit të tij ishte e çmendur. /EDS