Quhet Sebastjan, është nga Shkodra dhe ëndërron Barcelonën

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
8 Nëntor 2017 19:08

I lindur në Belgjikë, por në venat e tij rrjedh gjak shqiptari. Prindër nga Shkodra, mbiemër që nuk ka nevojë të pyesësh, ndërsa emri është spanjoll. Lidhje e bukur, mes një djaloshi që vazhdon traditën e qytetit të tij, që ka nxjerrë mjaft sportistë dhe me ëndrrën e shumë të rinjve, që duan të veshin fanellën e Barcelonës.

Sebastjan Spahiu (Shpuza), i lindur në Belgjikë më 30 tetor 1999, vjen nga një familje shkodrane që ka emigruar 19 vite më parë në një nga vendet e Beneluksit. U rrit si futbollist në radhët e FC Brussels, ndërsa në moshën 15 vjeçare u bë pjesë e Royal Excel Muscron, ndërsa këtë verë iu bashkëngjit ekipit të parë dhe merr pjesë në Jupiler Pro League, liga më e lartë e futbollit belg.

I intervistuar nga “Shkodra Sport”, Sebastjani flet për Shqipërinë dhe ëndrrat e tij, ku në horizont shfaqet Barcelona. “Shqipëria është vendi im dhe pavarësisht se unë kam pasaportë belge nuk mund ta harroj vendin e të parëve të mi. Flas dhe shkruaj mirë shqip sepse familja ime ka ngulur këmbë në këtë gjë. Futbollin e kam nisur që në moshën 8-vjeç me ekipin FC Brussels dhe me të kam luajtur deri në moshën 15-vjeçare. Më pas, për një vit kam luajtur me një ekip të kategorisë së parë- Lierse Sk”.

“Ky ekip në fund të sezonit ra nga kategoria dhe unë kalova tek Mouscron. Mund të dukem qesharak, por ëndërroj që një ditë të luaj për Barcelonën. Mbes me shpresën se kjo ëndërr e madhe të më realizohet. Deri më tani shumë ëndrra më janë realizuar, pse jo edhe kjo mund të bëhet. Unë do punoj fort për këtë gjë. Po ashtu, një tjetër ëndërr për mua është që të luaj edhe për Shqipërinë sepse është kombëtarja e vendit tim.” – shprehet ndër të tjera talenti shkodran.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike