Ra nga kati i gjashtë, portieri i Partizanit sot i ka befasuar të gjithë!

05 Nëntor 2019

Pak javë më parë bota e sportit dhe opinioni në kryeqytet u trondit kur mori lajmin se Aldo Teqja, portieri 24-vjeçar i Partizanit, kishte rënë nga kati i gjashtë i pallatit ku jetonte. Hipotezat ishin të shumta teksa dominonte ajo e sherrit në çift që kishte shtyrë të riun të vetëflijohej, por e vërteta ishte se bëhej fjalë për një rënie aksidentale kur po ndihmonte të ëmën të ndreqte tendën e ballkonit.

Fatmirësisht tendat e kateve më poshtë, por edhe degët e pemëve e zbutën rënien e Teqjas, që tashmë ka lënë spitalin dhe ka vizituar shokët e tij në stërvitje, ku është shfaqur buzagaz. Ja dhe njoftimi i Partizanit, që ndër të tjera raporton dhe për përgatitjet e të kuqve në prag të takimit kundër Flamurtarit në fundjavë:

“Skuadra ka rifilluar sot përgatitjet për takimin e radhës ndaj Flamurtarit, i vlefshëm për javën e 12 të Kategorisë Superiore. Seanca e sotme është zhvilluar në orën 10:00 në Kompleksin Sportiv “Internacional Tirana” në Pezë. Trajneri Lerda dhe stafi kanë vijuar normalisht programin stërvitor. Një surprizë e këndshme për lojtarët dhe stafin përgjatë seancës së sotme ishte edhe prezenca e portieri Aldo Teqja, i cili ka ndjekur nga afër përgatitjet dhe pritet që shumë shpejt t’i bashkohet kampionëve në ditët në vijim. Përgatitjet do të vijojnë të mërkurën sërish në Kompleksin Sportiv “Internacional Tirana” në Pezë”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com