Rashica lavdërohet nga të gjithë, trajneri e bashkëlojtari me fjalë të mëdha për yllin e Kosovës

30 Shtator 2019

Milot Rashica është rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme nga lëndimi.

Ylli nga Kosova qëndroi jashtë fushave rreth një muaj dhe me tu rikthyer realizoi një gol të bukur ndaj Borussia Dortmundit.

E falë golit të Rashicës, Werder Bremen ka marrë një barazim shumë të vlefshëm në udhëtim tek Dortmund.

Trajneri i Werder Bremen, Florian Kohfeldt ka thënë se me Milotin në fushë, skuadra e tij bëhet e paparashikueshme nga kundërshtarët.

“Rashica i sjell lojës sonë diçka speciale. Me të në fushë skuadra jonë bëhet e paparashikueshme për kundërshtarët. Jam i lumtur me rikthimin e tij”, deklaroi Kohfeldt.

Lëvdatat për Milotin nuk i kurseu as bashkëlojtari i tij, Maximilian Eggestien.

Talenti gjerman tha Rashica me shpejtësinë e tij është shumë i rëndësishëm për Werder Bremenin.

Milot Rashica dhe Maximilian Eggestein
(Foto © nordphoto / Ewert)

“Ne nuk kemi shumë lojtarë në skuadër me shpejtësinë e Rashicës. Sidomos në kundërsulme ai është shumë i rëndësishëm për ne. Miloti është lojtar për momente speciale”, deklaroi Eggestien.

Për Milotin goli ndaj Dortmundit ishte i pari këtë edicion në Bundesliga, derisa ka edhe një asistim në dy ndeshjet e zhvilluara. /Telegrafi/

www.telegrafi.com