Reagon FFK: Parullat dhe thirrjet e tifozëve në Bratislavë janë primitive

24 Korrik 2019

Federata e Futbollit e Kosovës i ka dënuar ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Ligës së Evropës në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli.

Ndeshja u mbyll 2-1 në të mirë të sllovakëve duke lënë gjithçka hapur për ndeshjen kthyese që zhvillohet pas një jave në Prishtinë.

“Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja,  i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale. Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre”.

“Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla”.

Lexo po ashtu: Tifozët e Slovan Bratislavës nuk u ndalën me provokime: Baner skandaloz dhe thirrje raciste kundër shqiptarëve të Feronikelit

“Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA”.

“Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF “Feronikeli” që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë”, thuhet në reagimin e FFK-së. /Telegrafi/ 

www.telegrafi.com